Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, dje ka njoftuar se i është hakuar faqja e tij zyrtare në Facebook.
Ndërkohë që sot Policia e Kosovës ka njoftuar se rasti po hetohet si “ndërhyrje në sistemin kompjuterik”.
“Prishtinë, 21.03.2022-09:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se nga data 14.03.2022 i është pamundësuar qasja në faqen e rrjetit social Facebook dhe në të janë postuar fotografi. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti duke u hetuar nga njësitë relevante”, njofton Policia.
Kurse, vetë Selmanaj dje paralajmëroj se rastin do ta denoncojë në Polici.
“Ju njoftoj që ka disa ditë që adresa ime zyrtare në facebook është cak i sulmeve kibernetike nga persona të papërgjegjshëm. Si rezultat i kësaj nga e hëna e kaluar mua më është pamundësuar qasja në adresen time zyrtare, dhe me shumë gjasë kontrollin e kësaj faqe tashmë e ka dikush tjetër. Përkundër përpjekjeve të mia ende nuk kam arrit ta rikthej nën kontrollin tim. Sot do i nisi procedurat policore”, shkroi ai në Facebook.