Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu ka folur rreth vendimeve të fundit që mori Qeveria Kurti si dhe për mundësinë e heqjes së taksës dhe zëvendësimin e saj me reciprocitet.
Duke komentuar vendimin e kryeministrit Albin Kurti për ulje të pagave për kabinetin qeveritar, ka thënë se çdo tendencë për të shfuqizuar një vendim të qeverisë së kaluar, është një paaftësi menaxheriale e Kurtit.
“Kjo ngase nuk po tregon në asnjë moment deri tash se cili është vizioni që ai ka ndërtuar për të ardhmen e vendit, por po merret me qeverinë paraprake. Paga e një ministri apo kryeministri do të duhej të ishte një pagë e dinjitetshme”, ka thënë Haxhiu për Telegrafi.com
Ajo ka pranuar se numri i madh i ministrave në qeverisjen Haradinaj i ka kushtuar buxhetit të shtetit dhe nuk është parë mirë në syrin e publikut.
“Ka pas shumë ministra dhe e pranoj që i kanë kushtuar buxhetit të shtetit. Mirëpo kjo është një paaftësi e Qeverisë Kurti e cila po merret me të kaluarën e jo të ardhmen”, u shpreh Haxhiu.
Deputetja e AAK-së, shtoi se e gjithë kjo nga Kurti po bëhet për të blerë kohë.
“Gjithçka që flitet për të kaluarën është humbje kohe. Ai po blen kohë, kohë për mashtrim ngase është paaftësi e tij. Sinqeriteti dhe korrektësia e Haradinajt nuk mund të krahasohet me Kurtin”, tha deputetja Haxhiu.
Më tej shtoi se Vetëvendosje ka treguar edhe tendenca për të ndërhyrë në gjyqësor dhe drejtësi.
Haxhiu në këtë intervistë thotë se Qeveria Kurti nuk ka ofruar program qeverisës në ditën kur është votuar në Kuvend. Sipas saj mashtrimi i parë faktik nga Kurti ka ardhur që nga koha kur ai tha se me LDK-në do ta arrijnë koalicionin brenda 72 orëve.