Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Valentina Rexhepi-Bunjaku është shprehur hapur se kanë informata që posti i presidentit të Kosovës ka qenë pjesë e pazareve politike gjersa këtë ia ka faturuar Qeverisë së Kosovës e në veçanti kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Në një intervistë për ATV, ajo ka thënë se LDK si opozitë e ka kryer obligimin e saj, gjersa mbetet në dorën e popullit të vendosë se a ka qenë në rregull pazari politik për t’ia siguruar kuorumin e nevojshëm, tashmë presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit.
“Po sipas informatave që ne i kemi, i kemi parë edhe në media, edhe atë ditë që i kem diskutuar, ka pasur pazare. Por, për këto pazare duhet të jap llogari Qeveria dhe z. Kurti e jo ne si opozitë. Ne si opozitë e kemi kryer obligimin tonë dhe është e qytetarëve se a ka qenë në rregull pazari për votën, për me e siguru kuorumin për znj.Osmani,” – ka thënë Rexhepi-Bunjaku.
Ajo ndër të tjera ka rrëfyer arsyen e mungesës së saj në seancën e parë për votimin e presidentit ndonëse ishte deklaruar hapur se e përkrahë Vjosa Osmanin.