Rrezarta Krasniqi, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka përmendur sipas saj dy gënjeshtra të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, qeverinë e së cilit e ka quajtur si “mashtruese”.
Përmes një postimi në Facbook, ajo ka thënë se gënjeshtra e parë e Kurtit është ajo për 25 mijë vende të reja të punës, duke shtuar se të vetmet punësime të cilat janë bërë mund të vlejnë për statistika, dhe janë ato të familjarëve të Vetëvendosjes, shkruan lajmi.net.
“Dy gënjeshtra nga z. Kurti! E para, nuk ka asnjë të dhënë zyrtare që e dëshmon se kjo Qeveri ka krijuar vende pune për 25 mijë persona. Të vetmet punësime për të cilat mund të japin statistika, janë ato për familjarët e tyre që i kanë rahatuar në institucione të ndryshme publike, deri në KEK”, ka thënë ajo.
Me tej, ajo ka shtuar se në Kosovë nuk ka pasur rritje ekonomike, në fakt ka ndodhur e kundërta, ku qytetarët, sipas saj veç sa janë varfëruar.
“Dhe e dyta, rritja ekonomike nuk ka ndodhur, përkundrazi qytetarët janë varfëruar. Kjo është evidente edhe në raportin e fundit të FMN ku thuhet se rritja ekonomike në Kosovë, është më e vogla në 10 vitet e fundit. Qeveri mashtruese!”, ka përfunduar Krasniqi.