Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Valdete Idrizi ka reaguar ashpër ndaj gjestit johuman të avokatit të Vetëvendosjes, Tomë Gashi, i cili shihet në një video duke shqelmuar lëmoshën që një lypës kishte mbledhur nga qytetarët në Sheshin Nëna Terezë në Prishtinë.
“Sa më ka shqetësuar vrazhdësia dhe poshtërsia e avokatit të LVV-së, po aq më ka tronditur mungesa e reagimit nga vet LVV e cila, së paku publikisht, ka thënë se promovon barazinë dhe politikat sociale. Pastaj, ku është reagimi dhe distancimi nga Ministria e Drejtësisë, ku është reagimi i Avokatit të Popullit, ku është reagimi i KMLDNJ-së e OJQ-ve të tjera? Askund! Askush!”, ka shkruar Idrizi në faqen e saj në Facebook.
Reagimi i plotë i deputetes së PDK, Valdete Idrizi:
Tronditëse, deri në palcë, janë pamjet ku avokati i Qeverisë Kurti dhe aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Tomë Gashi, mu në Sheshin Nëna Tereze në Prishtinë, shkelmon pamëshirshëm, me shfrenim, një njeri në nevojë, i cili ishte ulur në rrugë dhe kërkonte lëmoshë.
Sa më ka shqetësuar vrazhdësia dhe poshtërsia e avokatit të LVV-së, po aq më ka tronditur mungesa e reagimit nga vet LVV e cila, së paku publikisht, ka thënë se promovon barazinë dhe politikat sociale.
Pastaj, ku është reagimi dhe distancimi nga Ministria e Drejtësisë, ku është reagimi i Avokatit të Popullit, ku është reagimi i KMLDNJ-së e OJQ-ve të tjera? Askund! Askush!
Nuk po e kuptoj heshtjen e tyre. A vjen na frika apo nga lakmia për të përfituar nga pushteti dhe pushtetarët?!
Turp të qoftë Tomë Gashi. Ndonëse, e ke dëshmuar se ti nuk turpërohesh për asgjë.