Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka thënë se VV në momentin që e thirr seancën për zgjedhjen e presidentit nuk mban shpresa se a do të hyjnë në sallë deputetë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ose të ndonjë partie tjetër por, do të shkojë me vota të sigurta.
“Në momentin që ne si Lëvizje Vetëvendosje do të thirrim seancë për zgjedhjen e presidentes, ne nuk shkojmë në sallë duke mbajtur shpresë në AAK-në se a do të vijë ose jo në sallë, aty ne shkojmë me vota të sigurta, kurdo që thirret ajo”.
Kryeziu-Hyseni deklaron mes tjerash se çdo javë që kalon shkurtohet afati për zgjedhjen e shefit të shtetit, dhe sipas saj kjo shkon në dëm të vendit
“Çdo javë që kalon, afati për zgjedhjen e presidentit të vendit shkurtohet, dhe kjo shkon në dëm të vendit, pasi që Vjosa Osmani ka marrë pjesë në zgjedhje dhe sovrani e ka thënë fjalën e tij, duke e bërë atë njeriun më të votuar në Kosovë me mbi 300 mijë vota, pra, kur kemi hyr në zgjedhje ne e kemi pasur kandidaten për presidente dhe sovrani e ka vlerësuar këtë”, është shprehur Kryeziu-Hyseni për Klankosova.tv.