Komuna e Pejës ka përmbyllur obligimet financiare që lidhen me kontratat kolektive, për të cilat ka paguar rreth 15 milionë euro pas vendimeve gjyqësore.
Zëdhënësi i kësaj komune, Valmir Deqani, në një intervistë për Ekonomia Online ka bërë të ditur se pagesat janë kryer pa kaluar në procedura përmbarimore, me qëllim shmangien e kostove shtesë nga kamatat.
Ai ka folur edhe për gjendjen buxhetore të komunës, sfidat në realizimin e projekteve dhe pritjet nga një grant i mundshëm i katërt për komunat.
“Fillimisht, kontratat kolektive i kemi ekzekutuar me vendim të gjykatës. Nuk kemi lejuar që ato të shkojnë përmes përmbaruesve, për arsye se dihet që ka pjesë të kamatave. Komunës së Pejës i kanë kushtuar përafërsisht rreth 15 milionë euro kontratat kolektive, të cilat i kemi ekzekutuar pas secilit vendim të gjykatave dhe tashmë i kemi të paguara, nuk kemi asnjë obligim ndaj këtyre kontratave”, ka deklaruar Deqani.
Ai ka thënë se komuna tashmë është në fazën e rikuperimit financiar, por se realizimi i projekteve po vazhdon me ritëm më të ngadalshëm për shkak të kufizimeve buxhetore.
“Po, realisht ne tani veç jemi duke u rikuperuar në atë pjesë, për arsye se projektet të cilat kanë qenë më parë jemi duke i vazhduar, por me procedura më të ngadalshme për shkak se buxheti ka qenë i limituar. Dihet që Peja është, si të themi, është thuajse e marrë peng nga buxheti të cilin e ka, për arsye se është shumë, shumë i limituar, sidomos në subvencione. Investimet kapitale janë shumë të vogla për një qytet me kaq popullsi dhe me kaq territor siç është Peja. Pra, dihet që jemi shumë të hendikepuar”, ka thënë ai.
Duke folur për ndikimin e kufizimeve buxhetore në zhvillimin e komunës, Deqani ka vlerësuar se kjo situatë ka shkaktuar dëme për qytetin.
“Është bërë një lloj dëmi, ta them lirshëm, për arsye se ne jemi qytetarë të këtij vendi, taksat tona shkojnë për këtë vend, dhe të jemi ne të pezulluar nga këto, është shumë e dëmshme për një qytet si Peja. Kjo, sepse dihen resurset e Pejës, dihet kapaciteti i saj. Relievi i Pejës është në atë formë që mund të ofrojë shumë turizëm dhe rekreacion. Megjithatë, ne jemi duke i zhvilluar projektet dhe, sa kohë kemi kryetar Gazmend Muhaxherin, nuk kemi për t’u ndalur derisa t’i realizojmë të gjitha”, është shprehur ai për Ekonomia Online.
Sa i përket mundësisë së krijimit të grantit të katërt për komuna, Deqani është shprehur se një ndarje që bazohet në numrin e banorëve dhe territorin do të ishte në favor të Komunës së Pejës.
“Për arsye se ndahet në bazë të banorëve dhe territorit të komunës, atëherë për Komunën e Pejës është i mirëseardhur. Do të ishte një shtytje shumë e madhe për ne, në realizimin e projekteve që kemi”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, një buxhet më i madh do të ndikonte drejtpërdrejt në zhvillimin e qytetit dhe në përshpejtimin e realizimit të projekteve.
“Po, realisht kjo ndihmon automatikisht në zhvillimin e qytetit të Pejës. Kjo do të na jepte mundësinë të rrisim pak subvencionet dhe investimet kapitale, dhe besoj që projektet do t’i kishim zhvilluar me një ritëm pak më të shpejtë. Kjo do të na kishte ndihmuar shumë”, ka thënë Deqani.
