Kanë filluar me humbje, por shumë shpejt Drita e Gjilani kanë dëshmuar se janë pretendentë të mëdhenj për titull të kampionit të Kosovës në futboll. Drita e Gjilani janë “autorë” të derbit më të madh sportiv në vend, ndërsa në edicionin 2019\2020, derbi gjilanas me shumë mundësi do të jetë edhe për titull të kampionit.
Pas xhiros së katërt të kampionatit në futboll, që u përmbyll të dielën, Drita e Gjilani prijnë në klasifikim me nga 9 pikë të mbledhura. Janë skuadrat e vetme me nga nëntë pikë, ndërsa një më pak e ka Ballkani i Suharekës, shkruan sot Koha Ditore.
Në të vërtetë edhe para fillimit të kampionatit është vlerësuar se Drita e Gjilani, së bashku me ndonjë skuadër tjetër, do të luftojnë për titull. Kampioni në fuqi, Feronikeli, ka mbetur në vend të gjashtë me 6 pikë. Llapi është i katërti me 7 pikë, kurse Prishtina e parafundit me vetëm një pikë, por ka edhe një ndeshje më pak të luajtur.
Pas xhiros së parë, pak kush ka mundur të parashikojë që menjëherë në xhiron e katërt Drita e Gjilani do të dalin në krye të tabelës. Në hapje të edicionit, Drita ishte befasuar në shtëpi nga Ferizaj, duke pësuar 1:0 në një ndeshje që e dominoi. Ndërkohë Gjilani kishte humbur nga Trepça ’89 në Mitrovicë me rezultatin e lartë, 4:1.