Nuk kishte dramë të premten në Obiliq, në ndeshjen ndërmjet KEK-ut e Llapit (0:3), që e hapi pjesën pranverore të Superligës së Kosovës në futboll.
Ndeshjet e tjera të javës së 18-të luhen të shtunën (sot) e të hënën, ndërsa fillim të bujshëm të stinorit garanton përballja e skuadrave të mesit të tabelës, shkruan sot Koha Ditore.
Të shtunën (sot, 13:30) në stadiumin e qytetit në Gjilan luhet derbi i këtij qyteti, Drita – Gjilani. Bëhet fjalë për derbin lokal më të vlerësuar në Kosovë e po ashtu për derbin më të madh në futbollin kosovar.
Është atmosfera që krijohet në tribuna që e bën të veçantë derbin gjilanas. Koreografitë e dy tifo-grupeve, animi gjatë tërë ndeshjes, por edhe para e pas saj, vlerësohet se e bëjnë të veçantë përballjen. Tribunat gjithnjë janë të vogla për të zënë gjithë të interesuarit, ndërsa paraqitja në fushën e blertë rrallë është në vijë me shfaqjen e tifozëve në tribuna. Jo rrallë vetë loja në fushën e blertë mbetet në hije të animit që bëhet nga tribunat.
Aktualisht Drita, që është kampione në fuqi, dhe Gjilani, nuk llogariten pretendentë për titull. Kanë mbetur shumë prapa me pikë me treshen që zhvillon garën për titull: Prishtinën, Feronikelin e Llapin. Gjilani është i katërti me 27 pikë, derisa Drita e gjashta me 23 pikë.