Shqetësimet e ngritura nga komuniteti i fshatit Nashec dhe i trevës së Hasit, në lidhje me ndotjen e vazhdueshme të lumit Drin nga derdhja e ujërave të zeza nuk kanë mjaftuar për të bindur institucionet që të ndërmarrin veprime konkrete për eliminimin e këtij problemi mjedisor, shkruan sot Koha Ditore.
Kësisoj ujërat e këtij lumi vazhdojnë që të ndoten nga derdhja e ujërave të zeza që, sipas aktivistëve të fshatit, barten nga kanalizimi i qytetit të Prizrenit.
Zyrtarët përgjegjës për shërbimet publike në Komunën e Prizrenit kanë konfirmuar ekzistimin e këtij problemi, por kanë theksuar se mundësitë financiare të pushtetit lokal janë të kufizuara për të prodhuar ndonjë zgjidhje të qëndrueshme për këtë problem.
Në anën tjetër, komuniteti i Nashecit edhe rishtazi ka alarmuar mbi shkallën e ndotjes, që sipas tyre ka pasoja katastrofale për lumin.