Një juri amerikane e ka shpallur ish-zyrtarin policor Derek Chauvin, 45-vjeçar, fajtor për vrasje për vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd në rrugët e Mineapolisit, vitin e kaluar.
Chauvin është filmuar duke shtypur Floydin me gju në qafë për më shumë se nëntë minuta gjatë arrestimit të tij, në majin e vitit 2020.
Pamjet e shpërndara gjerësisht kanë nxitur protesta kundër racizmit në mbarë botën dhe kundër përdorimit të tepërt të dhunës nga ana e policisë.
Chauvin është shpallur fajtor për tri akuza: vrasje e shkallës së dytë, vrasje e shkallës së tretë dhe vrasje pa paramendim.
Ai do të mbesë në mbajtje, derisa të dënohet dhe mund të kalojë dekada në burg.
Jurisë prej 12 anëtarëve i është dashur më pak se një ditë për të marrë vendimin, i cili ka ardhur pas tri javëve të gjyqit në Mineapolis.
Pasi të dyja palët kanë prezantuar argumentet të hënën e kësaj jave, juria është izoluar në një dhomë të hotelit pa kontakt të jashtëm, ashtu qe të mund të merrte vendim të matur.
Anëtarët e jurisë është dashur të pajtohen në mënyrë unanime dhe ata nuk kanë mundur të kthehen nëpër shtëpitë e tyre, derisa kanë marrë vendimin.
Ky vendim është pritur me skena feste jashtë gjykatës, ku qindra persona kanë festuar kur kanë marrë vesh lajmin.