Dërgohet në Gjykatën Kushtetuese vendimi i Supremes për lejet ujore dhe mjedisore për hidrocentralet e Deçanit

Prishtinë | 17 Kor 2024 | 11:16 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Grupi për Studime Juridike dhe Politike në bashkëpunim me organizatën për ruajtjen e mjedisit “Pishtarët” dhe tre qytetar nga komuna e Deçanit kanë dërguar të mërkurën në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës për sa i përket vendimit për lejet ujore dhe mjedisore për Hidrocentralet “Belaja”, “Deçani” dhe “Lumbardhi II”, raporton Ekonomia Online.

Liridon Salihu, nga Qendra për Rastet Gjyqësore Strategjike, ka thënë se Supremja në shkelje të dispozitave kushtetuese, në interpretim të gabuar të dispozitave ligjore dhe në kundërshtim me gjendjen faktike ka vlerësuar se procedurat dhe vendimet për lejet ujore dhe mjedisore për këto  hidrocentrale janë të ligjshme.

“Organizatat GLPS, Pishtarët dhe tre qytetarë të Deçanit, Faton Selmanaj, Muharrem Lulaj dhe Xhavit Kuçi sot kanë parashtruar Kërkesë për Vlerësimin e Kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës (ARJ. Nr. 212/2023, i datës 5 mars 2024), i cili në shkelje të dispozitave kushtetuese, në interpretim të gabuar të dispozitave ligjore dhe në kundërshtim me gjendjen faktike ka vlerësuar se procedurat dhe vendimet për lejet ujore dhe mjedisore për Hidrocentralet “Belaja”, “Deçani” dhe “Lumbardhi II” janë të ligjshme”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se vendimi i Supremes është marrë në kundërshtim me nenet 31, 32, 52 dhe 54 të Kushtetutës.

“Pas shfrytëzimit të të gjitha mjeteve juridike në procedurë administrative dhe në gjykatat e rregullta kundër vendimeve për Hidrocentralet e Deçanit, palët i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese që të konstatoj se Aktgjykimi i Supremes është marrë në kundërshtim me nenet 31, 32, 52 dhe 54 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kundërshtimi i lejeve përkatëse ujore dhe mjedisore në rastin e njohur si “Rasti i hidrocentraleve të Deçanit,” nuk motivohet nga pikëpamje ideologjike dhe nuk shpërfaqë qëndrim kundër ndërtimit të hidrocentraleve nga kompani private, të huaja apo vendore” ,a ka thënë ai.

Salihu ka thënë se kundërshtimi ynë mbështetet në faktin se lejet ujore dhe mjedisore janë lëshuar në kundërshtim me ligjin dhe se është shpërfillur tërësisht dëmi i pariparueshëm mjedisor

“Por, si OJQ që angazhohemi për mbrojtjen e interesit publik, nuk mund të qëndrojmë indiferent ndaj betejës ligjore të inicuar nga disa banorë të Komunës së Deçanit, për të mos lejuar dëmet mjedisore nga ndërtimi dhe funksionimi i hidrocentraleve që operojnë me leje të marra në kundërshtim me ligjin. Pra, kundërshtimi ynë mbështetet në faktin se lejet ujore dhe mjedisore janë lëshuar në kundërshtim me ligjin dhe se është shpërfillur tërësisht dëmi i pariparueshëm mjedisor”.

“Konkretisht, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme kanë bërë interpretime qartazi të gabuar të neneve 72 dhe 78 të Ligjit për Ujërat. Sikundër që këto gjykata kanë shpërfillur tërësisht faktin se dëmet e dukshme mjedisore në këtë rast janë konstatuar edhe nga vet komisioni gjegjës i MMPHI. Por, kjo e fundit nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të adresuar gjetjet e komisionit të vet. Ndërsa Gjykata Supreme në mënyrë krejtësisht arbitrare, ka arsyetuar se nuk ka tagër të veprojë kundrejt mosveprimit te MMPHI për të ndaluar një dem mjedisor, te konstatuar nga vet MMPHI. Për këto arsye, ne kemi paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, me te cilin kemi kontestuar kushtetutshmërinë e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, ARJ. Nr. 212/2023, të datës 5 mars 2024”, ka thënë ai.

Të ngjashme