Dërgohet në ndërmjetësim rasti ndaj të akuzuarit se i mori portofolin dhe kartelën bankare pa pëlqim nga babai i tij

Prishtinë | 09 Shk 2022 | 15:37 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, të mërkurën, e ka dërguar në procedurë ndërmjetësimi lëndën ndaj Ljubisha Gjorgjeviq, i cili akuzohet se në prill të vitit të kaluar në Berivojcë të Kamenicës, duke supozuar se i takon një e drejtë, babait të tij Toza Gjorgjeviq, pa pëlqim i merr portofolin me një kartelë të bankës, dhe pas kësaj shkon në fshatin Shillovë dhe nga kartela bankare e babait nxjerrë 20 mijë dinarë (160 euro).

Dërgimi i lëndës në ndërmjetësim, është vendosur nga gjykatësja Valbonë Dërvodeli, pasi ajo ia sqaroi benefitet e kësaj procedure të akuzuarit dhe të dëmtuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, i akuzuari Gjorgjeviq dhe babai i tij i propozuan gjykatës që lënda e tyre të procedohet tutje në Qendrën e Ndërmjetësimit në Gjilan.

Propozimin e tyre nuk e ka kundërshtuar prokurorja Sllavica Popoviq, si dhe këtë e ka aprovuar gjykatësja Dërvodeli.

“Nëse brenda afatit ligjor nuk kemi ndonjë konfirmim për procedurën e ndërmjetësimit, atëherë gjykata do të caktojë shqyrtimin gjyqësor”, deklaroi gjykatësja Dërvodeli.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 26 prill 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj Ljubisha Gjorgjeviq, me arsyetimin se ai më 9 prill 2021, në fshatin Berivojcë të Kamenicës, me vetë iniciativë, duke supozuar se i takon një e drejtë, e ka ushtruar atë në mënyrë arbitrare, ashtu që shkon te babai i tij dhe pa pëlqimin e tij i merr protofolin me një kartelë të bankës, dhe pas kësaj, i akuzuari shkon në fshatin Shillovë dhe nga kartela e babait nxjerrë 20 mijë dinarë (160 euro).

Me këtë, Ljubisha Gjorgjeviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Vetëgjyqësia”, nga neni 410 paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme