Deputetja e Vetëvendosjes Aida Dërguti, sot, me një postim në Facebook i është drejtuar kryetarit ë kësaj partie Visar Ymer dhe anëtarëve të partisë.
Me këtë postim ajo ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga dy funksione partiake pas komunikimit që kishte zhvilluar në grup për Albin Kurtin..
Dërguti në këtë shkrim letër ka thënë se ka dallime politike në Vetëvendosje dhe ka kërkuar që për këto dallime të diskutohet në parti.
Letra e plotë:
I nderuar kryetar Visar Ymeri,
Të dashur aktivistë të Lëvizjes,
Për 12 vjet rresht, këtë Lëvizje e kemi ndërtuar bashkë. Kam bindjen e plotë se bashkë duhet t’i tejkalojmë edhe problemet e fundit. Kjo është e mundur dhe bëhet me vullnetin e kontributin e të gjithëve. Sigurisht se përgjatë punës e aktiviteteve të përbashkëta ne kemi krijuar shoqëri të vërtetë e marrëdhënie të shëndoshë me njëri-tjetrin. Kjo e ka përmbushur secilin prej nesh edhe personalisht. Por, mbi të gjitha, Lëvizja ekziston për shkak të qëllimeve që ia kemi vënë vetes. Përballë këtyre qëllimeve, secili prej nesh duhet ta tejkalojë veten. Prandaj, unë sot kam dhënë dorëheqje nga detyra e Kryetares së Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Vushtrri dhe nga anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes.
Unë e di që shprehja ime ka nxitur reagime e shqetësime për natyrën e problemeve në Lëvizje. Por, shprehja ime (e papranueshme gijthsesi) duhet vënë përballë një fushate sistematike të shpifjeve, linçimeve e etiketimeve që ka ndodhur tash 1 vit.
Po, brenda nesh ka dallime. Ky problem që në dukje të parë duket si inati personal, në fakt është dallim politik dhe ideologjik. Jo dallim karshi qëllimeve të shprehura në Program, por sidomos dallim karshi metodës. E dallimi në metodë është dallim politik pastaj. Nuk mund të arrish përmes rrugëve e metodave të ndryshme tek qëllimi i njëjtë. Metoda e fisnikëron ose e korrupton qëllimin. Ta zemë, probleme të patejkalueshme për mua janë sulmet e organizuara linçuese, dhe instrumentalizimi i njerëzve. Asnjë qëllim madhor nuk e arsyeton instrumentalizimin.
Unë besoj se e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemeve të Lëvizjes është diskutimi i hapur e me argumente, në vend të instalimit të frikës. Por, gatishmëri për zgjidhjen e problemeve unë ende nuk po shoh. E vetmja rruga është demokracia, VETËVENDOSJE! vetëm demokratike mund të jetë.