Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka zhvilluar sot mbledhjen e rregullt të kryesisë e ku është diskutuar për zgjedhjet e brendshme partiake dhe zhvillimet në vend.
Kryetari i AAK-së, kryeministri Ramush Haradinaj, ka njoftuar mbi zhvillimet në vend.
“Kosova në raportet me BE-në ka ndryshuar jashtëzakonisht në të mirë të vendit tonë. Jemi duke punuar bashkë me partnerët tanë për integrimin dhe zhvillimin e mëtejmë të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj, procesin zgjedhor në parti, e ka cilësuar si të mirë dhe gjithëpërfshirës.
“Jam i kënaqur me procesin e deritashëm të brendshëm zgjedhor. Ky proces duhet të vazhdojë të jetë sa më gjithëpërfshirës, ftoj të gjithë kryetarët e degëve dhe të gjithë aktivistët tanë që të punojnë sa më afër dhe të ofrojnë rreth profesionistë, njerëz të profileve të ndryshme. Të punojmë bashkërisht me të gjithë antarët, simpatizantët dhe qytetarët e Kosovës”, ka shtuar kryeministri Haradinaj.
Në këtë takim nga kryesia u votua unanimisht edhe zgjedhja e Lulzim Lecit në pozitën e sekretarit ekzekutiv të partisë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës njofton se po vazhdon me mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme, dhe deri më tani ka përfunduar procesi në degën e Ferizajt, Gjakovës, Hanit të Elezit, Junikut, Kaçanikut dhe Vitisë, kurse deri më 10 qershor Aleanca do të përmbyll zgjedhjet në të gjitha degët.