Mungesa e programeve të mirëfillta , reale, të prekshme , të arritshme , të zbatueshme nga ana e partive politike në fushata zgjedhore dhe në qeverisje ka bërë që partitë dhe lidershipi i tyre politik të degradoj tërësisht e moralisht. Kjo veti është sindromë që tani është kthyer në dukuri normale edhe për qytetarët e vendit dhe që përbën rrezik esencial.
Po përsëritëm në vetën e parë se kjo është konsekuencë e mungesës së Sistemit të vlerave nacionale, të cilat nuk mund të cenohen. Mungesë e kodifikimit të tyre dhe mbrojtjes ligjore. Kjo rrethanë më bëri të kuptoj realisht se pse ndodhi që edhe një Ligj që realisht kërkonte ndërhyrje konceptuale dhe tekniko juridike si ai për mbrojtjen e vlerave të luftës, ku do të duhej të përfshihen e dhe dëshmitarët e mbijetuar nga krimet monstruoze të Serbisë para dhe gjate luftës, u dërgua në parlament në të njëjtën seancë me ligjin për kategoritë LGBT etj. dhe nuk kaloj as parimisht.
Këto ditë parazgjedhore, përgatitjet e tyre nxorën në shesh veti të ulta të politikës dhe politikanëve që jo se nuk janë ditur por nuk janë shpërfaqur në një mënyrë kaq të hapur siç po ndodh tani.
Partitë politike dhe liderët e tyre të rënë në hall nga mbarimi i kauzave zgjedhore nuk po zgjedhin mjete as metoda për të joshur votuesit.
Premtimet e rrejshme janë një dukuri të cilën e kanë pranuar me aq dhembje qytetarët votues kosovar recidivisht për këto 20 vjet. Hipnotizimi në këtë temë ka arritur deri aty sa ju është mbushur mendja se këta “supremen” politik përmbushin edhe premtime të cilat fare s’janë në duart e tyre. Ndër to mund t’iu kujtojmë ta zëmë liberalizimin e vizave, qindra mijëra vende pune, lehtësira në shumë fusha si arsimimi , shëndetësia etj. Fonde për mbështetje të bizneseve dhe nismave qoftë arsimore apo gjëra të tjera në interes të votuesve potencial. Për të mos mbetur vetëm në nivel të ofertave sociale, u mashtruan qytetarët edhe me kauza që peshojnë në emocionet patriotike dhe kombëtare të shqiptarëve si teza e bashkimit kombëtar, zgjerimit dhe ruajtjes së kufijve gjatë demarkimit, kushtëzimit të Serbisë në aspektin ekonomik, tregtar e politik, duke i çoroditur ligjet dhe procedurat ligjore në pik – kalimet kufitare për ti kthyer në mekanizëm kauzal për përfitime vote aq turpshëm sa as vet djajtë politik serb nuk arrinin ti kuptonin se për çfarë taksa e reciprociteti po flasin, e shumë kauza false me të cilat në përrallën njëmijë e një netësh prodhuan për të përfituar votën që do ti mbajë në pushtet.
Pa mohuar dy ngritje të pagesë nga qeveria e pavarësisë dhe fiksimi i pagesë bazë, që na bëri punëtor më dinjitoz, që duhet rritur si koeficient e pagë bazë.
Me këtë fasade mashtrimi po munduan ti kamuflojnë edhe koalicionet e qeverisjes së shpresës, atëherë kur ato ishin kundër çdo parimësi politike dhe filozofike të studiuar dhe testuar në bote.
Krejt këtë e bëjnë politikan të cilët emra të njohur dhe figura publike u bënë për herë të parë në politikë dhe në pushtet. Këta qe s’kanë referencë autoriteti, shndërrohen në persona te rrezikshëm që duhet me patjetër të qëndrojnë në pushtet. Për ta arritur këtë u duhet të bëjnë kompromise për çdo gjë edhe atëherë kur cenohet pikërisht ajo vlere për te cilën sakrifikuam mbi një shekull për të ardhë deri te liria.
Këto zgjedhje të jashtëzakonshme apo taktika elektorale për tu ricikluar apo mbetur në skenë po të njëjtit njerëz, nxorën në shesh edhe një kategori vlerash kauzale që kishin mbetur të pavërejturash deri më tani. Në këto zgjedhje po garohet edhe me vlera që përfaqësojnë moralin si kategori e integritetit tonë njerëzor të përdhosur, nga lufta e fundit.
Në listat e partive u futën fëmijët e të vrarëve ne rrethana ende të pa zbardhura; u futen personalitete që janë ambasador të arritjeve tona në fusha jashtë politikës dhe që respektohen nga tërë bota si nga arti, muzika, sporti, etj.
Së fundmi, në listat e partive u fut edhe një emër që përfaqëson kurajën qytetare për ta thënë të vërtetën. Emri dhe personi që demaskoi jo vetëm politikën serbe dhe dhunën e para dhe gjatë luftës në Kosovë por edhe hipokrizinë e në masë të konsiderueshme edhe neglizhencën deri në moskokëçarje të klasës politike dhe shoqërisë kosovare për ta trajtuar meritorisht këtë plagë morale në trupin e kombit tonë me theks në kategorinë më sublime kombëtare femrën kosovare.
Futja në listat e garës politike të zonjës së nderuar Vasfije Krasniqi, është hiç me pak se krijim i rrethanës kur do të bëhet e lëndueshme edhe kjo vlerë Do të bëhet edhe e cenueshme edhe lehtësisht e fyeshme përballë mendësisë rurale dhe kullerizmit urban, inateve primitive tradicionale, edhe kjo kategori që e bëri të reflektoj tërë botën njëherë të vetme lidhur me krimet monstruoze serbe në Kosovë. Pra, po politizohet edhe ambasadorja më emblematike e një padrejtësie që po gjykohej nga bota civilizuar, pikërisht me kurajën dhe zërin e saj që u ngrit për drejtësi në Botë.
A thua të gjitha këto vlera që po politizohen a do ta kenë kredibilitetin përfaqësues siç e kanë tani?!
Këtij amoralitetit arritën ti mbijetojnë vetëm vlerat e mirëfillta dhe të pacenueshme siç janë familjet emblematike e veçmas ato të dëshmorëve dhe viktimave të luftës. Edhe pse ato fare nuk u kursyen nga tërbimi elektoral i politikës dhe politikaneve, megjithatë atë ato tejkaluan edhe këtë sakrifice që iu desh ta bënin përballë paskrupullsisë dhe pa njerëzisë që ju vinte nga uria për pushtet njerëzve të politikës që nga pas lufta.
Edhe personalitete të veçanta u provua të profilizohen posmortum, pasi që u sakrifikuan për vlerat e lirisë, varësisht se ku shihnin interesin e tyre politik pasardhësit e tyre apo bashkëluftëtarët, siç rasti i Adem Jasharit, vëllezërve Haradinaj, Sadri Zenelit, Sali Çekut, Zahir Pajazitit, Agim Ramadani, e shumë figura tjera dëshmorësh e martirësh.
Me po ketë formulë paskrupullsie u veprua edhe me të vrarët gjatë dhe pas luftës personalitetet e politikës si Xhemajl Mustafa, Enver Maloku, Smajl Hajdaraj, Shaban Manaj, Idriz Rraci, Uke Bytyqi, etj
E së fundmi krahas me keqpërdorimin e simbolit të denoncimit të krimeve monstruoze serbe në Kosovë të kryera nga shteti serb, zonjës emblematike Krasniqi, po spekulohet pa ndërprerë në çdo fushatë zgjedhore edhe me vëllezërit Dehari, duke e angazhuar në listat zgjedhore edhe prindin e tij i cili edhe me tej mbeti zemër thyer nga mos zbardhja e arsyes së vrasjes së të birit. Athu po i kërkohet të angazhohet në politikë që të ndikoj nga politika në zbardhjen e rastit të vrasjes së djalit?!
A thua për këtë janë angazhuar edhe fëmijët e të vrarëve të apostrofuar nga LDK qe 20 vjet.
Athua, kur edhe këto eksponent të krijimit të kauzave zgjedhore të harxhohen një ditë, me çfarë oferta programore do tu dalin përpara qytetarëve votues partitë tona të infektuara me amoralitet politik?