Hienat e mashtrimit : Përfundoi edhe takimi i radhës në Bruksel midis dy sundimtarëve absolut , Hashim Thaçi i Parë , sundimtar i Kosovës dhe Aleksandar Vuçiqi i Parë , Mbret i Serbisë , të dy të veshur alafranga ( firmato ) por me mentalitet dhe veprim aziatik. Këta pinjollë të shtypjes së vullnetit bëjnë përpjekje që të paraqiten si kundërshtarë që nuk duan t’ia shohin sytë njëri – tjetrit ndërsa , nëse nuk takohen për një kohë të shkurtër i kap kriza sikur ata që janë të varur nga narkotikët , djersiten , bëhen nervozë dhe sulmojnë majtas – djathtas dhe të gjithë ata që nuk iu binden 100% e që këtë mentalitet e kanë përvetësuar nga ndërkombëtarët .
Hashim Thaçi i Parë , Monarku i Kosovës , para takimit me Mbretin e Serbisë , Aleksandar Vuçiqin deklaroi se ; më me dëshirë do të takohesha me një dreq , djall , shejtan se me Vuçiqin e që ky i fundit iu përegjigj në mënyrë shumë më civilizuese duke fituar poenë politikë e të cilët i ka fituar që nga fillimi. Në këto bisedime , përkundër faktit se të gjitha faktet janë në anën e Kosovës , kemi kaluar në defansivë të plotë për faktin se në këto bisedime është shkuar me duar në xhepa , pa ekip ( me servilë të dëshmuar ) dhe duke pranuar gjëra që nuk janë pranuar as në kohët më të vështira për Kosovën.
Tash , nëse doni të bisedoni për kufijtë e vendit që është pranuar nga 114 vende ( – disa çnjohje ) , të bisedojmë pra nëse ky që na përfaqëson është vërtetë Hashim Thaçi apo është dikush tjetër që e ka marrë identitetin e Hashimit!
Serbia ka interes të bisedojë , jo vetëm për veriun e okupuar të Kosovës por edhe për një centimetër të territorit të Kosovës e që nuk i takon këtij shteti , me një të kaluar të ndyrë kriminale e që , pas pastrimit përmes bisedimeve po përpiqet të bëhet shtet demokratik , shtet me një popull të viktimizuar , shtet që do paqe por se kjo paqe kushton , shtet që më parë bisedon 100 vjet se që lufton edhe një minutë të vetme , shtet që dëshiron ta ketë ofertën përfituese e që pastaj e vlerëson nëse do të arrijë një marrëveshje me Prishtinën ( nuk e përmend Kosovën ).
Hashim Thaçi i cili kishte autorizim nga Kuvendi për bisedime me Serbinë sa ishte Kryeministër , ia ka bartur vetes këtë të drejtë edhe si President , pa e pytur askend , pa përfillur asnjë institucion , sikur të bisedojë për çështje private e jo për fatin e mbi 2 milionë qytetarëve të Kosovës e që preken drejtpërdrejtë dhe mbi 5 milionë shqiptarëve të tjerë e që do të preken në fazat më vonë . E lansoi një mashtrim ordiner , bashkimin e Luginës së Preshevës , pa dhënë asgjë duke manipuluar me këta të Luginës të cilëve u ka ardhur shpirti në fyt nga Serbia dhe të cilët do ta pranonin çdo zgjidhje , pavarësisht sa do të ishte e dëmshme për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi.
Pse Hashim Thaçi i Parë nuk kërkonte bashkimin e shqiptarëve të Maqedonisë dhe të Malit të Zi me Kosovën kurse tash po insiston se do ta bashkojë Luginën e Preshevës ndonëse e ka të qartë se për veriun e Kosovës mund të fitojë vetëm disa xhami të Luginës , nëse edhe ato i fiton . Me këtë mashtrim klasik dhe manipulim ka krijuar epërsi ndaj kundërshtarëve sepse gjithmonë ua shtron të njëjtën pyetje : “ a nuk jeni ju për bashkimin e Luginës së Preshevës dhe pse po e kundërshtoni këtë ? “.
E tash , edhe këta të Luginës e që pjesa dërmuese jetojnë dhe punojnë në Kosovë janë bërë partizanë dhe kamikazë ( të leshit ) të Hashimit. Më ka ndodhur që më kanë ndalur në rrugë luginasit e Hashimit duke m’u drejtuar me fjalët : “ pse ju zoti Shala jeni kundër bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën ? ! “ , duke mos e pranuar asnjë argument politik dhe të arsyeshëm me të cilin vërtetohet manipulimi i Hashimit me ta. Situatë e çuditshme është kjo !
Deklarimet pas përfundimit të takimit : Mos u besoni deklarimeve pas takimeve sepse ajo çka flitet prapa dyerve të mbylluar e që aktualisht “ lehtësohen “ nga një përfaqësuese e BE –së , me një background të dyshimtë familjar , pjesërisht të kriminalizuar , është në kundërshtim me ato çka deklarohet publikisht prandaj , Hashim Thaçi , pasi flet në emër tonin , ndonëse pa autorizim , nuk është i interesuar për një ekip profesional por për eunukë intelektualë dhe të zhveshur nga intereset kombëtare dhe shtetërore heshtjen e të cilëve e blenë me paratë tona , me paratë e buxhetit të Kosovës.
Nuk ka asnjë institucion i Kosovës ku mercenarizmi është më i theksuar se në presidencë dhe ku Presidentit i shtrihen para këmbëve duke e lavdëruar edhe për ate që nuk i thotë e lëre më për ato që deklarohet . Nuk mbaj mend një vend në botë ku 20 vjet pas përfundimit të luftës dhe pas pranimit të pavarësisë nga 114 vende ( -çnjohjet ) , pranoni të diskutoni për kufijtë dhe në mënyrë idioteske e ndani një qytet ( Mitrovicën ) për të deklaruar në mënyrë edhe më idioteske se këtë e keni bërë për ta bashkuar qytetin. Apo , kur analfabetë politikë dhe të zhveshur nga çdo vlerë njerëzore , kombëtare dhe morale na vënë në gjumë duke na ofruar ëndrra me Shakirën , Lepa Brenën apo Cecën e Arkanit .
Çfarë idiotizmi dhe pafytyrësie ! Shakira , edhe nëse vjen , nuk vjen pa 1 milionë euro të cilat paguhen nga buxheti i Kosovës në vend se me këto para të ndërtohet ndonjë shtëpi në veri apo të ndihmohen qytetarët e Mitrovicës dhe të Veriut e që jetojnë në kushte të mjerueshme pikërisht për fajin e matrapazëve politikë që sot e udhëheqin Mitrovicën sikur edhe ata para tyre e që janë qerasur me poste diplomatike. Na trullosin prapanicën Agim Pacolli dhe Behgjet Bahtiri me Shakirën , që e përdorin si mashtrim e që qytetarët e Mitrovicës nuk përfitojnë asgjë nga ky mashtrim .
Në fund të fundit , e kemi “ Shakirën “ e Kosovës e cila , deri në kup të qiellit ka kënduar : “ Jo nuk ndahet o Mitrovica “ për një shumë simbolike parash , kryesisht të fituara në syneti , kanaxheqe , diasporë apo dasma.
Si të ndalet Hashimi : Nuk ka asgjë më lehtë se të ndalet kjo aventurë e Tom Sojerit , thjesht nuk duhet të përkrahet nga askush. Deri më tani kryeministri Haradinaj po e kundërshton vendosmërisht , kryeparlamentari Kadri Veseli po e kundërshton më butësisht , opozita po e kundërshton oralisht ( punë goje hesapi ) kurse vetëm pionerët e PDK-së , të futur deri në fyt në detyrime ndaj Hashimit , të transformuar tani në biondina të të dy gjinive , po e përkrahin “ Ataturkun “ e PDK-së duke deklaruar se nuk ka njeri më të pregatitur për bisedime me Serbinë e gjë që është shumë larg të së vërtetës.
Nisma i ka disa hezitime shkaku i Fatmirit që pretendon të bëhet Hashim nr.2 në bisedime , si udhëheqës i Grupit Negociator e që , nëse miratohet në këtë formë do të bëhet patericë e njërës këmbë të thyer të Hashimit. LDK-ë , përkundër potencës deklarative , në realitet është e tredhur në aspektin veprues që e dëshmoi me tërheqjen e Rezolutës me një arsyetim të pasinqertë , arritje e një konsensusi nacional. LDK –ë , gjithmonë kur ngulet në kunj të Hashimit apo edhe të tjerëve e ka arsyetim e gatshëm dhe stereotip , e bënë si parti shtetformuese e që askush nuk i beson sepse individë nga kjo parti shiten e stërshiten lehtë . Kujtojeni votimin për Hashimin president , ata që e kanë sharë më së shumti , kanë votuar për të apo ia kanë bërë kuorumin. E pastaj Demarkacioni e kështu me radhë.
LVV nuk ka kapacitet ta rrezikojë Hashimin e as PSD . Të vetmit që mund ta kundërshtojnë këtë aventurë të Hashim Thaçit janë kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli , nëse në ndërkohë nuk i lëshon kondicioni , jo fizik por ai politik.
Shoqëria Civile nuk mund të bëjë asgjë sepse nuk e kanë një gojë e lëre më një bythë. Mos të them që nuk kanë fare bythë.
Tash , partitë më të forta në Kuvendin e Kosovës dhe që kanë perspektivë më të ndritshme në të ardhmën , Alternativa dhe AKR po mundohen mjaftë , Alternativa për ta shpëtuar Kosovën ( kinse ) ndërsa AKR për ta shkatërruar Kosovën , pa asnjë dyshim. Jam i bindur se Behgjet Pacolli e do dhe mbronë Kosovën aq sa unë e dua dhe e mbroj Shumadinë dhe Kraleven. Gjithashtu , jam i bindur se e respekton Hashim Thaçin për aq sa unë e respektoj Aleksandar Vuçiqin . Dhe , këta persona flasin dhe marrin vendime për Kosovën ?! Zot , o Zot !
Hashim Thaçi duhet të ndalet dhe do të ndalet . Jam i sigurt se kur të bindet se nuk mund ta realizojë flirtin me Vuçiqin , do të bëhet kundërshtar i madh i tij sikur që Enver Hoxhaj , nga pozitat krejtësisht “ patriotike “ po i kundërshton mallrat nga Serbia !
Nuk duhet të mbesim peng të një Kurci , Makroi , një karriere në përfundim si Mogerini e cila përpiqet të mbijetojë dhe ringjallet duke përligjur dhurata të tokave të Kosovës për Serbinë dhe burokratëve tjerë të Evropës. Natyrisht se nuk mund dhe nuk duhet të presim mirëkuptim dhe përkrahje për territorin e Kosovës nga të huajt nëse ankandin për falje e hapim ne , përkatësisht ai që nuk na përfaqëson , Hashim Thaçi.
Begja , me llaskucët përreth në çdo çnjohje që e bënte publike Serbia , deklaronte se është rrenë dhe mashtrim derisa ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar , këto çnjohje i mori si të vërteta.
Ndërkombëtarët na konsiderojnë leshko dhe gjysëm të marrë që servilizmin e konsiderojmë si virtyt andaj , ndonëse i kemi plotësuar kushtet teknike për liberalizim të vizave , sigurisht më shumë se vendet e rajonit që kanë përfituar , nën rrogoz na shantazhojnë duke e ndërlidhur këtë proces me procese politike , përkatësisht , me lëshuarje të brekëve para Serbisë dhe disa karrieristëve dhe burokratëve ndërkombëtarë , përkrahës tradicionalë të Serbisë.
Është kohë e fundit që idetë për korigjim të kufijve e që kanë dalur nga bytha e propozuesve , të kthehen në burimin e këtyre ideve jonormale . Ndryshe , na presin shumë probleme neve që do të jetojmë këtu kurse për ata që e propozuan dhe përkrahin këto çmenduri , Kosova do të bëhet “ Tokë e Ndaluar “. E shohim shumë shpejt sepse Mogerini po ngutet , Hashimi po ngutet dhe Vuçiqi po ngutet !
Dikush , pashmangshëm do ta pësojë , uroj të mos jetë Kosova dhe qytetarët e saj kurse për ata që i shoqërojnë këta ose i përkrahin nuk do të ndjej as dhimbjen më të vogël pas pësimit dhe fundit të keq që do ta kenë , pa asnjë dyshim !