Deri në 10 vjet pritje për të zgjidhur një lëndë në Gjykata, shqetësuese po shihet vetëgjyqësia shkaku i vonesave

Prishtinë | 16 Qer 2024 | 06:36 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Tetë deri në dhjetë vjet, i duhet një qytetari të presë nëse dëshiron që çështjet civile të zgjidhen nga gjyqësori në Kosovë. Si i tillë, sipas avokatëve, qytetarëve po u mohohet e drejta për gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme dhe shumë prej tyre vdesin pa e realizuar të drejtën e tyre, për shkak të kohëzgjatjes së procedurave, raporton Ekonomia Online.

Shqetësim tjetër sipas tyre është edhe vetëgjyqësia që marrin qytetarët, pasi ka raste kur vonesat e këtyre kontesteve përfundojnë në raste penale.

Avokati Burim Halili, këto vonesa i sheh shqetësuese, marrë parasysh kohëzgjatjen që qytetarët duhet të presin për verdiktin final. Ndonëse është rritur numri i gjyqtarëve, prapëseprapë numri i lëndëve të pazgjidhura është i madh.

Një ndër arsyet kryesore të kësaj zvarritje sipas tij është numri i madh i lëndëve civile me të cilat është i ngarkuar sistemi gjyqësor, rrjedhimisht edhe numri i vogël i gjyqtarëve.

“Trajtimi i lendeve shkakton një vështirësi jashtëzakonisht të madh sa i përket kohëzgjatjes së lendeve sepse sidomos duke i pasur parasysh lëndët në fushën civile kanë një zgjatje jashtëzakonisht të madh, për dallim prej atyre në fushën penale të cilat kryejnë një kohë pak më të shpejtë por fatmirësisht kemi kohëve të fundit është rritur edhe numri i gjyqtareve dhe prokurorëve sidomos në lëmin penale, lëndët janë duke u kryer shumë më shpejt dhe janë duke u marrë shumë më pak kohë krahasuar me vitet e kaluara. Ndërsa sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me fushën civile edhe këtu është rritur numri i gjyqtarëve dhe janë duke kryer pak më shpejt por prapë kemi vonesa të cilat nuk u dashtë me i pas, duke pasur parasysh edhe dallimin mes gjykatave që kemi në qytetet e ndryshme, si Prishtina është e stërngarkuar me lëndë në fushën civile”, u shpreh Halili.

Halili konsideron se një faktor tjetër negativ në ketë drejtim është edhe mungesa e profesionalizmit të gjyqtarëve. Sipas tij, shpesh herë qytetarëve po u mohohet e drejta për gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme.

“Fatkeqësisht këto kemi varet pak edhe prej gjykatave edhe prej gjyqtareve sa janë të ngarkuar. Kemi pasur raste te gjyqtaret që janë më të ri që edhe kanë filluar edhe kanë rastet me i trajtu më shpejt por kemi raste të cilat janë duke i zgjatur e stërzgjat e këto ndikojnë shumë keq për shkak se jo çdo rast do të thotë që çdo i pandehur merr në fund epilogut del si person qe ka kryer një vepër penale dhe del i pafajshëm e pastaj fakti që ai sillet nëpër gjykata apo qendra burgimit me një vit, dy, tri vite dhe në fund del i pafajshëm. Koha nuk i kthehet, për shkak se nëse lihet dikush kaq vite në paraburgim edhe nëse del i pafajshëm ajo kohë nuk kompensohet kështu që Gjykatat duhet që këtë problematik me analizu mirë, Këshilli Gjyqësor edhe sipas nevojës me rrit numrin e gjyqtareve edhe me çdo aktgjykim sidomos në fushën penale”, u shpreh Halili, teksa “kampion” të vonesave e sheh Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Sa i përket rasteve që kanë të bëjnë me fushën civile prapë edhe aty e kemi një problematik që një lëndë derisa të fillojë, i duhet 6 deri në 7 vite konteste pronësore, mandej është kryesisht palët bëjnë ankesë dhe e dërgojnë në shkallën e dytë, edhe aty i merr dy deri në tri vite rasti më i keq kur shkalla e dytë e kthen për shkelje procedurale e kthen në rigjykim në shkallë të parë që atëherë mund t’i shtyjë edhe dy apo tri vite dhe minimalisht një kontest për të zgjidhur me çështje pronësore tash në Prishtinë duhet të paktën 10 vite”, u shpreh ai.

Kritika për këto vonesa ka edhe avokati tjetër, Yll Zekaj, i cili shprehet se në lëmit civile trajtimi i një rasti merr së paku 10 vite për të kaluar në dy nivele të gjykatës. Sipas tij, shkak i këtyre vonesave po bëhet edhe për shkak të rikthimit të lendeve në rigjykim nga ana e Gjykatës së Apelit.

“Në Kosovë kemi probleme me zvarritjen e procedurave gjyqësore, sidomos në lëmit civile ku trajtimi i një çështje mund të merr edhe 10 vite për të kaluar dy nivele të gjykatës. Niveli i Gjykatës së shkallës së parë, Gjykata Themelore dhe atë të Apelit edhe pse fshihet një përpjekje goxha e shtuar e Këshillit Gjyqësor në këto vitet e fundit ende nuk po arrihet që të këndellet sistemi i drejtësisë, përkatësisht sistemi gjyqësor për trajtimin e lendeve në kohë të arsyeshme. Ka probleme të shumta qoftë ndonjëherë janë edhe për shkak të përformancës së gjyqtarëve po kemi problem edhe tek kthimi i shpeshtë i lendeve në rigjykim nga ana e Gjykatës së Apelit ku një lëndë mund të kthehet dy apo tri herë në rigjykim, kjo pastaj merr një kohë të gjatë për tu arritur një epilog përfundimtar për një çështje për të cilën qytetarët i drejtohen sistemit të drejtësisë kjo pastaj ndikon drejtpërdrejt në shkeljen e të drejtave të njeriut, përkatësisht në trajtimin e rasteve të tyre në një kohë të arsyeshme”, ka thënë Zekaj për EO.

Zekaj ka thënë se si pasojë e këtyre vonesa, lëndët civile shpesh kthehen edhe në raste penale shkaku i kohëzgjatjes së këtyre rasteve, palët e përfshira në procedurë i kanë acaruar marrëdhëniet dhe kanë përfunduar me ngatërresa të tjera. Zekaj përmend raste kur edhe palët e përfshira në raste vdesin pa e realizuar të drejtën e tyre.

“Nëse kalohet periudha 10 vjeçare, jo që ndodh diçka por qytetarin nuk e merr të drejtën e tij pastaj ne kemi si avokat e shohim sidomos në lëmine civile e shohim se ka edhe shumë qytetarë që fatkeqësisht vdesin pa e realizuar të drejtën e tyre për shkak të kohëzgjatjes së procedurave. Pra nëse sot paraqitet një padi ajo mund të shkoj deri në 10 vite, e pastaj mund të dalin probleme të ndryshme, që fatkeqësisht ndonjëherë vjen edhe deri tek vetëgjyqësia për shkak se gjyqësori jonë është e ngathët për ta trajtuar një lëndë në kohë të arsyeshme dhe qytetarit t’i jepet një e ‘drejtë’ e cila i takon pastaj qytetarit që shpeshherë ndodh që ta marrin drejtësinë në duart e tyre që asnjëherë s’duhet ta bëj një gjë të tillë por nganjëherë këto gjera ndodhin dhe duhet veprime më të mëdha nga të gjithë faktorët për t’i ndihmuar sistemit gjyqësor për të dal nga kjo krizë e trajtimit të lëndëve në një kohë të arsyeshme”, u shpreh Zekaj.

Të ngjashme