Deri në 5 mijë euro gjobë ndaj bizneseve që nuk respektojnë masat, thotë Syla

Prishtinë | 10 Qer 2020 | 17:55 | Nga Ekonomia Online

Bizneset që nuk respektojnë masat ndaj pandemisë mund të gjobiten deri në 5 mijë euro, ka thënë kryeinspektori Lulzim Syla në “Express Intervistën” në KTV.

Ai thotë se gjatë pandemisë Inspektorati ka punuar me kapacitet të plotë.

“Me datë 13 mars me ardhjen e pandemisë Inspektorati i Ministrisë së Tregtisë është angazhuar me gjithë kapacitetin së bashku me inspektorët komunalë. Ne kemi vepruar në bazë të udhëzimeve që kanë ardhur nga IKSHPK-ja”, ka thënë Syla.

Sipas tij ka pasur rritje të çmimeve në disa produkte.

“Pas lajmeve dhe ankesave nga konsumatorët se çmimet po ngritën. Pasi kemi dalë në terren, në farmaci ka pasur 4-5 produkte çmimet e të cilave janë rritur si alkoolin, dorëzat e maskat, kurse sa i përket ushqimoreve më së shumti ka pasur rritje te limonët, nga 89 centë në 2 euro 40 centë dhe aty kemi marrë masa”, ka thënë Syla.

Kurse sa i përket miellit ai thotë se s’ka pasur rritje të çmimit.

“Në Kosovë operojnë 40 mullinj dhe kemi biseduar me pronarët dhe në asnjë vend nuk kemi hasur që ka pasur ngritje të çmimit. Roli i Inspektoratit nuk është vetëm të gjobisin, por edhe edukimi. Jemi marrë vesh që të mos shkojmë menjëherë me gjoba por me vërejtje, ne kemi dërguar me dhjetëra lëndë në gjykatë”, ka thënë ai.

Syla ka shtuar se Inspektorati ka pasur zgjatje të orarit të punës.

“Si gjobë mandatorë nuk kemi dhënë, por ka pas raste kur gjatë kontrollit në markete ka pas raste kur kemi hasur në raft arkë dhe kemi shqiptuar dënime. Inspektorati ka zgjatë orarin e punës, punojmë me tri ndërrime. Me rekomandimet e IKSHP-së është kërkuar të shtojmë vigjilencën”, u shpreh ai.

Ai thotë se lëndët për shkeljet e rregullave gjatë pandemisë do të dërgohen në gjykatë dhe ajo merr vendimin, që mund të jetë deri në 5 mijë euro gjobë ndaj bizneseve.

“Më së shumti që kemi hasur tani është orari i tejzgjatur i bareve, aty nuk mundemi të ndërhyjmë pasi aty është policia. Secila komunë ka rregulloren e vet se deri në sa orë punohet. Do ta kem një takim me drejtorët. Më së shumti konsumatorët shkojnë pa maska dhe pa dorëza. Kurse sa u përket punëtorëve ata i respektojnë, por jo në mënyrë të kënaqshme. Të gjitha lëndët do të dërgohen në gjykatë, ajo e përcakton dënimin ose deri në 5 mijë euro me të holla ose me vepër penale”, ka thënë Syla.

Tutje Syla ka thënë se momentalisht numri i inspektorëve është shumë i vogël, por kanë marrë premtime se do të rritet ky numër.

“Numri i inspektorëve në nivelin qendror është shumë i vogël dhe kemi bërë kërkesa të vazhdueshme që të rritet ky numër. Për momentin kemi 20 inspektorë duke më përfshirë edhe mua, që do të thotë se është numër shumë i vogël. Ai ndahet në katër sektorë dhe nuk kemi mundësi të mbulojmë të gjitha kërkesat. Por, kam marr premtimin nga ministri Veseli se shumë shpejt do të rritet numri i inspektorëve. Krasniqi në mbledhjen e fundit ka thënë se është prioritet inspektorati sepse është e nevojshme, dhe nëse nuk kemi numër nuk kemi mundësi të arrinim përmbushjen e kërkesave”, ka thënë Syla.

Syla gjithashtu ka bërë të ditur se tani po bëhet Ligji i Inspektoratit, ku pritet të ketë fuzionim.

“Për momentin kemi 34 lloj inspektoriatesh dhe me ligjin e ri do të fuzionohen dhe do të bëhen 15-16 lloj inspektoriatesh”, ka thënë ai.

Të ngjashme