Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi ka thënë se deri tani kanë votuar 408 të burgosur.
Thaçi për Telegrafin ka thënë se të drejtë vote kanë 1 mijë e 351 të burgosur.
“Për 1351 persona të burgosur me të drejtë vote SHKK e ka dorëzuar listën në KQZ. Nëpër të gjitha institucionet korrektuese deri më tani kanë votuar 408, procesi po vazhdon dhe deri më tani nuk ka pasur ndonjë parregullsi”, potencoi ai.
Ndryshe, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka bërë të ditur se deri në ora 11:00 kanë votuar 145 mijë e 650 votues.
Këto janë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku në garën zgjedhore janë 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare.
Ndërsa, numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 1 mijë e 52 kandidatë.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit të drejtë vote kanë 1,794,862 qytetarë, ndërsa numri i Qendrave të Votimit në të gjithë Kosovën është 888, me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime.