Në ditën e parë të vitit të ri – 2024, qytetarë të intervistuar nga Ekonomia Online thanë se shpresojnë që ky vit do të jetë më i mirë, si në aspektin personal ashtu edhe për shqiptarët në përgjithësi.
Të gjithë e mirëpresin liberalizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së.
Disa mendojnë që heqja e vizave erdhi pasi Qeveria aktuale e luftoi me sukses krimin dhe korrupsionin; dikush pret që në muajt e parë të ketë vështirësi për bizneset; e një pensionist ka një kërkesë për kryeministrin Albin Kurti. “Mos ta ndërrojë asnjë ministër”, thotë ai, duket me ironi.
Mehmet Maxhuni tha se heqja e vizave është një gjë shumë mirë që i ka ndodhur Kosovës dhe ka një shpjegim pse ka ndodhur vonesa.
“Është dashur më herët. Nuk e kanë luftuar krimin. Pa e luftuar krimin nuk janë hequr vizat. Çështja kyçe ka qenë lufta ndaj krimit dhe të organizuar dhe korrupsionit. Këto u hoqën, erdhi liberalizimi”.
“Unë edhe ashtu kam dalë jashtë vendit, nuk e kam pasur telashe shumë. Por, si jo, më mirë është mos me shku te ambasadat me prit”, shprehet ai.
Sabit Rexha, pensionist nga Prishtina, u ankua se edhe kjo qeveri nuk po bën asgjë për këtë kategori.
Dëshira e tij është që të mos realizohet ajo “që dikush po don – zbrazja e Kosovës”.
Ai kritikoi Albin Kurtin dhe të tjerët “të cilët i qesin familjet jashtë për mirëqenie më të mirë, e na shesin patriotizëm neve që jetojmë në Kosovë.
Ai ka dhe një kërkesë, me ironi, për kryeministrin. “Shpresoj që këtë vit të mos na ndërroj ndonjë ministër se i ka pasur aq të dëgjueshëm edhe aq të padijshëm që gjynah është me i ndërru… Ne pensionerët të vdesim kështu që nuk ka nevojë me na e rrit pensonin, se po u dhimben paret shumë”.
Edhe Rexha e quan heqjen e vizave si padrejtësi e vënë në vend. “Mendoj që do të jetë një vit i dhimbshëm, së paku muajt e parë”.
Mexhid Ramiqi bëri thirrje që mos të keqpërdoret liberalizimi i vizave, e mos ta lëshojnë qytetarët vendin e tyre.
“Liberalizimi i vizave, mua personalisht nuk më ka bërë përshtypje për shkak se nuk jam i interesuar me lëshu Kosovën. Nuk e kam lëshuar gjatë luftës, nuk e lëshoj as pas luftës. Mirë që është bërë liberalizimi i vizave, mirë është mos me u keqpërdorë, domethënë me lëshu Kosovën. Jetë më të mirë se në Kosovë unë nuk po besoj që mund të këtë diku”, deklaroi Ramiqi, për EO.
“Besoj që viti 2024 ka me qenë më i mirë se viti 2023 se proceset po ecin përpara. Më keq nuk mund të jetë, veç më mirë. Çdoherë gjërat vinë tu rregullu, vetëm pak ne nuk ngutemi”.
“Dhashtë Zoti, që në vitin 2024 të jetë më i bashkuar i gjithë popullit shqiptar, këtu në Kosovë e jashtë Kosovës. Dhe shpresoj të jetë vit i stabilizimit të jetës së njerëzve”.
Gëzim Berisha tha se ka qenë një padrejtësi e madhe që qytetarëve të Kosovës iu është mohuar e drejta e lëvizjes së lirë, deri më tani. Ai parashikon vështirësi për punëtorë sidomos për sektorët e gastronomisë dhe ndërtimtarisë.
“Liberalizimi i vizave ka qenë i mirëpritur për neve qytetarëve të Kosovës se na u ka bërë një padrejtësi jashtëzakonisht e madhe. Por më në fund edhe kësaj pune i erdhi fundi”.
“Mendoj që për arsye se njerëzit kanë me kërku një jetë më të mirë ose me shku me gjet veten dikund ma mirë, ka me qenë pak më vështirë për punë këtu për kompanitë, për gastronominë ka me qenë pak më problem”, shprehet Berisha.



