Dëshmi të reja: E dimë se kush e vrau Tupacun, por policia po fsheh gjithçka

Prishtinë | 18 Jan 2020 | 09:05 | Nga Ekonomia Online

Të gjitha teoritë e komplotit për atë se një nga reperët më të njohur amerikanë, Tupac Shakur, është akoma gjallë, janë gënjeshtra. Regjisori Mike Dorsey, 41, i cili punoi në dokumentarët “Unsolved: The Murders of Tupac and Notorious B.I.G” dhe “Murder Rap”, i lutet policisë së Los Angelesit që më në fund ta pranojë dhe t’i eliminojë idetë se reperi është akoma gjallë.

Tupac ndërroi jetë në vitin 1996 pasi u kthye nga një meç i boksit ku luftonte Mike Tyson. Bashkudhëtari i Cadillacut të bardhë filloi të gjuante në automobilin në të cilin ndodhej Tupacu. Tupac i mori katër plumba në gjoks, por pavarësisht se ishte në kujdes intensiv për gjashtë ditë, vdiq për shkak të gjakderdhjes së madhe të brendshme. Autorët e krimit nuk u gjetën asnjëherë, ndërsa thuhet se u provokuan nga kënga “Hit ’Em Up” në të cilën Tupac i ofendoi reperët e bregut lindor – Notorious B.I.G, Puff Daddy dhe Li’l Kim.

Image

Madje 23 vjet pas vdekjes së tij, rasti i vrasjes ende nuk është mbyllur. Dorsey u takua me hetuesit, dhe thuhet se u takua edhe me një dëshmitar anonim, i cili pretendon se Tupacun e kishte qëlluar një anëtar i bandës, Orlando Anderson, shkruan KOHA Ditore. Dorsey tha se është koha që drejtësia më në fund të përmbushet dhe se të gjithë fansat e tij duhet ta dëgjojnë të vërtetën.

“Jam i irrituar, sepse ky rast po zvarritet për dekada të tëra. Dhe familja e tij dëshiron që rasti të mbyllet përfundimisht dhe që teoritë e çmendura të konspiracionit të ndalen”, – tha Dorsey i cili për gjashtë vjet është marrë me hetimin e vdekjes së reperit të famshëm.

Image

“Orlando e vrau Tupacun për shkak se e poshtëroi dhe turpëroi atë në një rast. Ai e goditi atë me grusht në një kazino të Sin City dhe si duket Orlando nuk mundi ta falte. Ai u bashkua me mikun dhe anëtarin e bandës Keefe Davis dhe vendosi ta vriste”, – shpjegon producenti, duke shtuar se reperi Suge Knight (54) nuk mori pjesë në atentat.

Dorsey u takua për herë të fundit me hetuesit në Los Angeles për t’ua paraqitur atyre provat e tij 18 muaj më parë, por policia nuk reagoi fare pas kësaj.

“Tupac ka vdekur. Le ta sqarojmë këtë menjëherë. Të gjitha teoritë e konspiracionit tani mund të bien në ujë sepse ekzistojnë një sasi provash të pakontestueshme për ta dëshmuar këtë. Ne e dimë saktësisht se kush e vrau Tupacun”, – thotë regjisori me reputacion i cili thuhet se shkëmbeu qindra e-maila me hetuesit në lidhje me rastin.

Image

“Me siguri nuk do të jenë të lumtur që po flas për rastin publikisht, por nuk kanë ndërmarrë asgjë pas këtyre 18 muajve. Nuk më duket se kam shumë zgjedhje. Kjo është më e madhe se të gjithë ne. Ndoshta thjesht dua më shumë drejtësi për Tupacun sesa dëshiron policia e Los Angelesit. Shpresoj që nuk është kështu dhe nuk duhet të jetë kështu. Ata duhet ta mbyllin rastin”, – thotë Dorsey dhe shton se ai nuk e sheh se ku është problemi, pasi që Anderson vdiq nga të shtënat në vitin 1998.

“Nuk mund ta gjykoni njeriun e vdekur. Është krejtësisht e çmendur që ende po shtiremi se nuk e dimë se çfarë ndodhi. Mendoj se policia nuk do të bëjë asgjë derisa të mbërrijë në media. Ne duhet ta ngremë zërin dhe duhet të flasim për këtë. Shumë prej fansave të tij e kanë pranuar që ai u vra nga banda Crips nga Camptoni, Kalifornia”, – thotë ai.

Dorsey ka mbledhur shumë të dhëna duke punuar me ish-detektivin Greg Kading i cili e udhëhoqi hetimin trevjeçar për vrasjen e Tupacut, si dhe sulmin ndaj Notorious B.I.G.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme