Dëshmitari Shpëtim Janqishta ka thënë se nuk i kujtohen deklaratat e dhëna në Polici pasi ishin rrahur e maltretuar nga policët. Ka thënë se në atë gjendje ka mundur të deklaronte gjithçka.
Këtë dëshmi Janqishta e ka dhënë të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin ku 13 persona po akuzohen për organizim të jashtëligjshëm të lojërave të fatit.
Në këtë rast, nga Prokuroria Speciale akuzohen Mentor Maqani Flakron Maqani, Granit Nikqi, Visar Haxhijaj, Arbent Ramadani, Fadil Bytyqi, Rrahim Bërbatovci, Qun Mengjiqi, Mentor Kika, Sefer Berisha, Artan Quni, Ardian Hasani dhe Orhan Elshani për organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm. raporton “Betimi për Drejtësi”
Bashkë me ta, akuzoheshin edhe Shpejtim Rexha, Shpetim Babaj, Fatmir Shala, për të cilët sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Violeta Namani është veçuar procedura.
Tutje dëshmitari Janqishta në pyetjen e prokurore speciale Fikrije Fejzullahu-Krasniqi tha se ka qenë punëtor i lokalit të kazinove dhe se nuk njeh asnjërin nga të akuzuarit.
I njëjtit deklaroi se në kazino kishte qenë vetëm në cilësi të lojtarit dhe se nuk i kishte interesuar se kush është pronar as a janë të licencuara lokalet në fjalë apo aparatet dhe as se kush punon nëpër ato lokale.
Po ashtu dëshmitari Janqishta pas ballafaqimit me deklaratën e dhënë në Polici se pronar i lokalit është personi me emrin Mentor dhe se në lokali punonin 5 persona, tha se nuk i kujtohet që t’i ketë thënë këto deklarata. Ai tha se në deklaratën e dhënë në Polici është nënshkrimi tij.
Paraprakisht dëshminë e tij e dha edhe dëshmitari Driton Bajrami duke deklaruar se nuk njeh asnjërin nga të akuzuarit. Ai ka thënë se në punë e kishte futur personi me emrin Fatmir e që mbiemri nuk i kujtohet.
Gjithashtu dëshmitari Bajrami pas ofrimit në shikim të deklaratës së tij nga mbrojtësi i të akuzuarit Flakron Maqani, avokatit Naim Rudari dëshmitari Bajrami tha se nuk është shkrimi i tij në deklaratën e dhënë në Polici kurse nënshkrim i dhënë në deklaratë është i tij.
Dëshminë e dha edhe dëshmitari Xhemajli Mustafa i cili shtoi se nuk ka qenë punëtor i një kazino por se në kazino kishte luajtur duke shtuar se nuk i kishte interesuar se kush ishin punëtorët apo kush ishte pronarë i lokalit.
Pas ballafaqimit të deklaratës së dhënë në polici nga prokurorja Fikrije Fejzullahu-Krasniqi, dëshmitari Mustafa tha se ajo çka po deklaron sot është e vërtetë dhe jo ajo çka ka deklaruar në Polici.
Pas dhënies së dëshmisë së dëshmitarëve Janqishta, Bajrami dhe Mustafa avokati Rudari se ka vërejtje në dëshmitë e tyre qoftë ne dëshmitë e dhëna në stacione policore qoftë në këtë shqyrtim gjyqësor.
Më pas kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani njoftoi se në shqyrtimin e planifikuar për ditën e premte mungojnë dëshmitarët Qëndrim Binaj, Pajtim Smakiqi dhe Arton Merkalu duke sqaruar se sipas Policisë të njëjtit gjenden jashtë vendit.
Kurse për dëshmitarët Asdren Osmanaj dhe Qëndrim Bislimi gjyaktësja Namani tha se të njëjti nuk kanë qenë të gatshëm të japin dëshminë e tyre duke shtuar për shqyrtimet e radhës do të ftohen.
Ndryshe pas propozimi të mbrojtësit të akuzuarit Ardian Hasanit, avokatit Rrahmim Ajeti trupi gjykues ka aprovuar propozimin e tij për të dëgjuar dëshmitarin Përparim Rexhaj.
Në fund në mungesë të dëshmitarëve është ndërpre shqyrtimi gjyqësorë duke sqaruar se gjykata do të tentojë që të sigurojë prezencën e tyre në shqyrtimin e planifikuar gjyqësor të datës 14 qershor të këtij viti.
Paraprakisht, ndaj të akuzuarit Orhan Elshani, gjykata kishte marrë vendim që të zhvillohet gjykimi në mungesë të tij, por se mbrojtësi i tij, avokati Ridvan Kajtazi duhet të jetë prezent gjithherë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 23 shtator 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj Shpejtim Rexhës, Mentor Maqanit, Flakron Maqanit, Granit Nikqit, Visar Haxhijajt, Arbent Ramadanit, Fadil Bytyqit, Rrahim Bërbatovcit, Qun Mengjiqit, Shpetim Babajt, Mentor Kikës, Sefer Berishës, Fatmir Shalës, Artan Qunit, Ardian Hasanit dhe Orhan Elshanit.
Ata akuzohen se duke vepruar si grup kriminal, kanë kryer veprën penale të organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.
Sipas aktakuzës, të lartcekurit duke vepruar si grup kriminal i organizuar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo të tjerët, kanë organizuar dhe kanë marrë pjesë në organizimin e lojërave të fatit të përcaktuara me ligj, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për lojërat e fatit.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Shpejtim Rexha, fillimisht kishte siguruar licencë për ushtrimin e kësaj veprimtarie në gjithë Kosovën nën firmën “Market Plus”, e pastaj aksionet ia kishte bartur të pandehurit Flakron Maqani, i cili të njëjtën firmë e kishte regjistruar në ARBK nën firmën “Market Plus 1” dhe “Las Vegas”, ashtu që sipas marrëveshjes me të pandehurit tjerë të cilët kanë vepruar në pika të ndryshme në tërë territorin e Kosovës, në vazhdimësi dhe pa licencë dhe pa leje pune të organeve kompetente, kanë siguruar dhe shpërndarë aparate të ndryshme të lojrave të fatit si: roleta, aparate të markave “Kajot” “Apec”, “Merkur” si dhe aparate të tjera të lojërave si “Keno”, aparate pa numra serik, aparate me numra serik të falsifikuar.
Përmes kësaj veprimtarie, sipas aktakuzës ata kanë fituar dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme në shumë prej 15 mijë e 337 euro e 63 centë.
Tutje në aktin akuzues, thuhet se i akuzuari Shpejtim Rexha, në cilësinë e pronarit “Market Plus” në vitin 2009, me dashje dhe vetëdije ka regjistruar biznesin për organizimin e lojërave të fatit dhe bixhozit dhe pas regjistrimit në bashkëpunim me të akuzuarit Flakron dhe Mentor Maqani, dhe Granit Nikqi, aparatet e falsifikuara i kishin shpërndarë nëpër Kosovë.
Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Visar Haxhijaj, Orhan Elshani, Rrahim Bërbatovci, Fadil Bytyqi, Arbent Ramadani, Artan Quni, Shpëtim Babaj, Ardian Hasani, Fatmir Shala, Sefer Berisha, Mentor Kika dhe Granit Nikqi, nga koha e pacaktuar deri në datën e kontrollit nga policia të cekura në aktakuzë, në cilësinë e menaxherëve të lokaleve të ndryshme kishin ushtruar veprimtari të paligjshme të bixhozit, ku me rastin e kontrollit i janë konfiskuar disa aparate të lojërave të fatit.