Dëshmitari i radhës në rastin e vrasjes së Ademajt: Kam folur me Granit Plavën për dy raste të vrasjeve

Prishtinë | 06 Tet 2025 | 14:17 | Nga Ekonomia Online

Në procesin gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës e Kushtrim Kokallës që akuzohen për vrasjen e Liridona Ademajt, ka dëshmuar edhe Jeton Binaku.

Ai ka folur se si i akuzuari Granit Plava e ka marrë një veturë më qira.

Binaku ka thënë se kanë një biznes familjar, një pompë të benzinës ku Plava ka qenë klient i rregullt.

“Graniti ka ardhur te pompa dhe më ka pyetur a mundesh me ma marrë një kerr me qira. Graniti ka punuar me dru, se kanë marrë naftë te ne. Më pas ka thanë a mund ta thërrasësh atë djalin e rent a car, me marr një kerr me qira. Ditën që e ka marrë e ka shkuar dhe e ka kthyer, prapë e ka marrë … e ka la lanë kerrin, çelësi ka mbetur në pompë. Kerri ka qëndruar dy ditë aty”, ka theksuar Binaku.

Ai ka thënë se i ka kërkuar pronarit që i kishte dhënë veturën me qira që ta merrte.

“Djali i rent-ës ka kaluar aty, i kam thënë merre, por ai nuk e ka marrë, më thoshte po shkoj në shkollë.

Tjetër nuk di më shumë, te pompa ka qëndruar”, është shprehur ai.

Ai ka thënë se Plavën e ka takuar thuajse çdo ditë dhe herën e fundit e ka parë ditën që ka ndodhur ngjarja në një vullkanizer që gjendje pranë pompës.

“Pompa e benzinës dhe vullkanizeri i kanë 2 metra, ngjitur, ai ka ardhur te unë, jashtë kemi qenë. Ky nuk punon aty, po ka qëlluar ato ditë. Kur e ka kthyer kerrin, më ka thanë a po i thua të vijë me marrë veturën, mos të paguaj më shumë ditë”, është shprehur Binaku.

Ai ka thënë se me Plavën kanë biseduar për shumë gjëra dhe se kanë ndenjur bashkë gjithë ditën.

“Për dy vrasje me Granitin kemi folur, edhe ajo në Dragodan edhe për vrasjen që po akuzohen, llafe të kafeve”, është shprehur Binaku. “Unë kam thanë shqiptari ta lë gruan e të ikë, nuk e ka traditë, e qysh kanë shkruar në polici nuk e di, këto llafe kanë qenë të kafeve …. Me Granitin kemi biseduar për vrasjen. Unë kam thanë nëse është shtetase suedeze, kam thanë që do zbulohet kjo vrasje. Kam thanë që në Bërnicë ka kamera, do të zbulohet rasti. Kam thënë shteti suedez do bëj çmos ta zbulojë për shtetasen e vetë, se është shtet i fortë … Unë nuk e di a ka komentuar diçka Graniti, nuk më kujtohet. Po qëndroj prapa asaj se çfarë kam deklaruar”, është shprehur Binaku.

Të ngjashme