Dëshmitari Imer Imeri ka rrëfyer për një rast kur një i ndaluar dhe i plagosur ishte sjellë në fshatin Cahan të Shqipërisë. Ai po ashtu tha se personi kryesori që kishte kryer rrahjet ishte Rizah Alija i njohur ndryshe si ‘Komandant Hoxha’.
“Ai komandant Hoxha- Rizah Alija, ai ishte kryesori i dajakut”, tha Imeri.
Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua një listë e ushtareve për të cilën u pyet se ndonjërin prej tyre a e kishte parë në Cahan gjatë kohës sa ishte i ndaluar.
Emrat që iu prezantuan dëshmitarit ishin: Rizah Alija, Salih Rexhepi, Shaban Hoti.
Sipas prokurores, dëshmitari më herët ka thënë se ka pasur raste që numri i të ndaluarve arrinte në 17 duke përfshirë edhe anëtarë të FARK-ut e po ashtu dhe nga Presheva.
Lidhur me këtë, dëshmitari tha përveç tyre ishte edhe ai së bashku më anëtarët e tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Më pas, prokurorja insistoi se përveç anëtarëve të FARK-ut nga Presheva a kishte edhe tjerë anëtarë të këtyre forcave për çka menjëherë seanca kaloi në përmbajtje të redaktuar.
“…e rrahën fortë dhe e lanë të kamtë. Nuk mujta me duru aty edhe u qova e afrova afër veti aty ku isha ratë. Ai djali u mërzitke shumë ‘jam i plagunë’. Nestrit e refuzoi edhe bukën, thash jo bacë bukë duhet me hanger se na kysmet dalim prej këtuhit. Kështu që kam kërku një takim me Haki Drenicën po tash nuk e di a u kan Hakia a u kan Salih Berisha. Iu thash qone more djalin te mjeku se me vjen keq shumë c’ka kështu. E kanë marrë e kanë qu, ja kanë lidh varrën edhe dikush iu ka thanë qe merrni me të mirë e djali mos të kallzon çka ka ndodhë. Ia kanë dhanë njëfarë detyre pak si të nalt aty me nejt i lirë nëpër atë vend aty edhe u sillke asajde. Nganjëherë folke me mu tek dritarja apo kur dalsha me shku në banjo dhe me falënderonte që i kam ndihmu. Kjo ka ndodhë. Ku e kanë qu masanej nuk e di”, tha Imeri pasi u hap seanca.
Më pas, Imeri tha se ata që e kishin plagosur këtë djalë ishin nga UÇK-ja.
“Me vjen shumë keq me e thanë tash po në atë kohë sipas fjalëve të djalit, ishin të UÇK-së që e kishin marrë nën kontroll edh FARK-un atje dhe ata e kanë nxanë dhe e kanë plagu edhe e kanë pru aty”, tha dëshmitari Imeri.
Për pyetjet e radhës, me kërkesën e prokurores seanca kaloi në sesion privat për publikun për t’u mos u hapur më deri në pushimin e 10 minutave. Edhe pas pushimit, pyetjet prokurorja i beri në seancë private.“Betimi për Drejtësi”.