Dëshmitari i 68-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), diplomati austriak Jan Kickert, ka mohuar se ka dëgjuar për formimin e një Gjykate Ushtarake në UÇK dhe se shef i saj të jetë një person i quajtur Sokol Dobruna.
Gjithashtu, dëshmitari mohoi se e dinte që puna e Thaçit ka qenë që të mbikëqyrë funksionimin e kësaj Gjykate Ushtarake, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa, i pyetur lidhur me përfaqësimin e shqiptarëve në procesin politik e sidomos gjatë marrëveshjeve që dolën nga ky përfaqësim, dëshmitari tha se LDK-ja nuk kishte qasje miqësore ndaj UÇK-së.
“LDK-ja nuk kishte qasje miqësore ndaj UÇK-së. Në fillim madje mohuan edhe ekzistencën e UÇK-së. Ne po ashtu kishim FARK-un, grupin e armatosur që financohej nga LDK-ja dhe Qeverinë e tyre në ekzil. Pra, kishte përplasje, fërkime politike, por besoj që këto fërkime ishin edhe në terren”, tha ai.
Dëshmitari shtoi se LDK-ja e shihte UÇK-në si kërcënim të monopolit të tyre politik.
Gjithashtu, dëshmitari tha se gjatë procesit të marrëveshjes së Rambujesë, kishte presion mbi Thaçin pasi komandantët e zonave nuk pajtoheshin me këtë marrëveshje. Krahas kësaj, dëshmitari pohoi se Thaçi nuk e kishte autoritetin që të nënshkruante në emër të UÇK-së.
I pyetur se a kishte dëgjuar se Thaçit i referohen me këtë numër, dëshmitari e mohoi një gjë të tillë mirëpo tha se kishte dëgjuar se përdorej një sistem numerik.
“Jo domosdoshmërish për atë, por me kanë thënë që përdornin një sistem numerik atje dhe mu kujtua dhe e kam thënë në një nga raportet e mija ku kam përshkruar një takim me Adem Demaçin që Adem Demaçi me numra iu drejtohej personave, po nuk e kanë lidhur numrin 3 me Hashim Thaçin”, tha ai duke mohuar se kishte dëgjuar edhe në mjete tjera informimi të iu referohen Thaçit me numrin 3.
Dëshmitari tha se kishte dëgjuar se Thaçi kishte pseudonimin gjarpri dhe gjatë kësaj kohe nuk kishte dëgjuar që paralelisht i referoheshin me ‘treshi’.
Jan Kickert u pyet po ashtu se a e kishte kuptuar ndonjëherë se pse përdorej një sistem numerik.
“Sipas nesh, asaj kohe ishte një ilustrim hierarkik me sistemin numerik. Takova numrin 7 fillimisht pastaj numrin 3 dhe kështu unë arrita të kuptoja që isha në shkallët më të larta të hierarkisë. (mosprezantimi me emra) Me sa kuptoj ishte për çështje sigurie. Për mua, kërcënimi kryesor është nëse prezantohesh me emër dhe është më pak e rrezikshme në qoftë se përdoret një numër”, tha ai.
Ai gjithashtu tha se Thaçi ishte shënjestra kryesore e serbëve dhe se ishte gjëegjezë nëse rrezikohej në rast që prezantohej me numrin 3, por që shtoi se nuk beson që Thaçi u prezantua me numrin 3 për të treguar rëndësinë që kishte në UÇK.
“Kur u takuam me numrin 7, ishte takim paksa i pazakontë. Unë po mendoja mos e shpiku ku numrin 7 sepse 007 ishte James Bondi, po pastaj kur u takova me numrin 3 e kuptova ‘aha’ paska njëfarë vlere ky sistem numerik, ka kuptim ky sistem numerik por nuk mund ta them këtë me siguri”, tha dëshmitari duke pohuar se i ka thënë ZPS-së që ky sistem numerik mbështetej kryesisht në supozime dhe se nuk ka parë dokumente për këtë.
Ai gjithashtu tha se Thaçi gjatë këtij takimi nuk i kishte treguar se për çfarë ishte përgjegjës dhe se nuk i tha se ishte udhëheqës.
Pas kësaj, avokati i Thaçit preku edhe tema të tjera në të cilat dëshmitari shtoi se gjatë ofensivës serbe Malisheva ishte braktisur nga popullsia shqiptare dhe se nga fundi i korrikut apo fillimi i gushtit kishin marrë raporte nga terreni se policia serbe po plaçkiteshin shitoret dhe policia po ua vinte zjarrin shtëpive.
Dëshmitari tha se serbet ishin të bindur se kishin mposhtur UÇK-në sidomos edhe pas bombardimeve në Prekaz në pranverën e 1998, kjo bindje ishte forcuar.