Një dëshmitar tha të shtunën se talibanët varën një trup të pajetë në kran në sheshin kryesor të qytetit perëndimor afgan, Herat. Ky veprim mund të jetë shenjë për kthimin e metodave të vjetra të grupit.
Ëazir Ahmad Seddiqi, i cili ka një barnatore në skaj të sheshit, i tha agjencisë “Associated Press” se katër trupa u sollën në sheshin kryesor dhe tre të tjerë në pjesë tjera të qytetit për t’i shfaqur publikisht.
Seddiqi tha se talibanët njoftuan në shesh se katër trupat e shfaqur në shesh ishin të personave që ishin kapur duke marrë pjesë në një rrëmbim dhe u vranë nga policia.
Ziaulhaq Jalali, i emëruar komandant policie në Herat, tha më vonë se talibanët kanë shpëtuar një baba dhe një bir, të cilët ishin rrëmbyer nga katër persona pas shkëmbimit të zjarrit. Ai tha se një luftëtar taliban dhe një civil janë plagosur nga rrëmbyesit, të cilët u vranë gjatë përleshjes së armatosur.
Mullah Nooruddin Turabi, një nga themeluesit e talibanëve dhe kryezbatues i interpretimit të rreptë të ligjit islamik kur grupi ishte më herët në pushtet në Afganistan, i tha agjencisë këtë javë se do ta rifillojnë zbatimin e ekzekutimeve dhe prerjes së duarve, ndonëse ndoshta jo në publik.