Dëshmitarit i prezantohet një dokument i cili thuhet se është gjetur në shtëpinë e Jakup Krasniqit, pranohet si provë materiale

Prishtinë | 30 Tet 2023 | 11:58 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit të 31-të me (kod 4753), Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) përmes prokurorit Matt Halling, prezantoi një dokument të vitit 1998 që sipas tij ishte gjetur në shtëpinë e Jakup Krasniqit.

Prokurori Halling kërkoi që ky dokument të pranohet si provë materiale në këtë çështje.

“Parashtrojmë që ka indicie të mjaftueshme që justifikojnë pranimin e këtij urdhri që ka të bëjë me Mahir Hasanin. Dokument që mbanë datën 31 maj 1998. Sa i takon burimit të këtij urdhri, ky dokument është gjetur në shtëpinë e Jakup Krasniqit”, tha prokurori Mat Halling.

Prokurori tha se sipas këtij dokumenti, Mahir Hasani vihej në dispozicion të bazës në Drenoc nën komandën e “Gjermanit” për të cilin dëshmitari tha se ishte Xhemë Gashi.

“Në fjalinë e parë të këtij dokumenti thuhet z.Mahir Hasani nga Peja vihet në dispozicion të bazës së Drenocit nën komandën e z.Gjermani”, tha Prokurori.

Për këtë dokument, dëshmitari tha se është i datës së njëjtë kur Mahir Hasani kishte shkuar në Drenoc mirëpo thotë se nuk e di se kush e ka shkruar.

“E njëjta datë është 31. Nuk e di, kush e ka shkru le të tregon”, tha dëshmitari.

Ky dokument u pranua si provë materiale nga trupi gjykues mirëpo pati kundërshtime nga mbrojtja e Hashim Thaçit përmes avokatit Gregory Keohe dhe mbrojtja e Jakup Krasniqit përmes avokatit, Aidan Ellis.

Avokati Keohe tha se nuk ka bazë për pranimin e këtij dokumenti dhe se dëshmitari nuk ka lidhje me të.

“Nuk ka bazë fare pranimi i këtij dokumenti. Ky dëshmitar nuk ka lidhje fare me këtë dokument. Ai thotë që nuk e ka parë më përpara. Është dokument që nuk është nënshkruar nga askush, kështu që si do të përcaktojmë tërësinë e këtij dokumenti, si do e vërtetojmë. Ne parashtrojmë se nuk ka temësi ky dokument”, tha avokati Keohe.

Ndërsa, avokati Ellis tha se edhe ata e kanë të njëjtin kundërshtim.

“Ne e kemi të njëjtin kundërshtim. Është dokument që nuk është i nënshkruar, as nuk mban vulë dhe nuk tregon asgjë sa i takon autorit të tij. Është dokument i paplotë se në fillim farë thuhet; personi i autorizuar dhe pastaj kemi dy shifra dhe nuk ka asgjë tjetër që shkruhet dhe kështu dëshmitari nuk mund të bëjë vërtetimin e këtij dokumenti”, tha Ellis.

Pas kësaj, dëshmitari i 31-të është duke e vazhduar dëshminë e tij në sesion privat për publikun.

Fillon dëshminë e tij dëshmitari i 31-të në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, flet për strukturat komanduese të UÇK-së në Drenoc

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i 31-të me kodin (4753) në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Dëshmitari i 31-të është dëshmitari i Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe është me masa mbrojtëse, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas prokurorit Matt Halling, dëshmitari i 31-të është ish-ushtar i UÇK-së si dhe do të flas për strukturat komanduese në Drenoc.

I pyetur se kush ishte komandant në fund të majit të vitit 1998 në zonën në Drenoc, dëshmitari tha që ishte Xhemë Gashi ndërsa si zëvendës i tij ishte Mahir Hasani.

Dëshmitari tha se Mahir Hasani dhe Xhemë Gashi i cili kishte nofkën “Gjermani” nuk ishin nga Drenoci dhe se nuk e dinte se kush i kishte sjellë këta dy persona aty.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë rreth 16 orë.

Zyrës së Prokurorit të Specializuar do t’i nevojitën rreth një orë e gjysmë për ta marrë në pyetje këtë dëshmitarë ndërsa ekipeve të mbrojtjes 14 orë e gjysmë.

“Marrja e juaj në pyetje do të zgjasë rreth 16 orë. Siç e dini, me pyetje do të fillojnë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Më pas kanë të drejtë ekipet e mbrojtëse që të iu intervistojnë si dhe trupi gjykues nëse ka pyetje. ZPS ka parashikuar 1 orë e gjysmë që të ju marr në pyetjer. Ndërsa mbrojtja parashikon se i nevojitet 14 orë e gjysmë. Mund të lejoj pyetje shtesë nëse përmbushën kushtet”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

ZPS përmes prokurorit Mat Halling ia prezantoi dëshmitarit një dokument që sipas tij ishte një intervistë që dëshmitari e kishte dhënë për ZPS-në.

Halling e pyeti dëshmitarin nëse sqarimet dhe ndryshimet që i kishte bërë dëshmitari në seancën përgatitore përputheshin me ato se çfarë ai do të dëshmonte në rast se pyetet.

Pas kësaj, prokurori Halling kërkoi që këto dokumente dhe materialet mbështetëse të pranohen si prova gjë e cila u miratua nga trupi gjykues.

Sot pritet të vazhdojë gjykimi ndaj Hashim Thacit dhe të tjerëve

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë pritet që të vazhdojë gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ndonëse në javën e kaluar nuk ka pasur seancë në këtë çështje, seanca e fundit e përcaktuar për 18 tetor ishte shtyrë.

Në këtë seancë pritej të dëshmonte dëshmitari i 29-të me kodin W-04577, mirëpo, sa po u ftua dëshmitari në seancë, trupi gjykues dha urdhër që të kalohet në sesion privat dhe pas 30 minutash ka njoftoi se seanca është shtyrë.

Ky dëshmitar ishte ftuar që të dëshmojë në seancën e 11 tetorit, ku kishte deklaruar se nuk është i gatshëm që të dëshmonte, por është i gatshëm që të shkonte në burg.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Të ngjashme