Njëra nga prioritetet e qeverisë Kurti edhe sipas programit qeveritar të shpalosur ditë më parë është padia për gjenocid ndaj Serbisë. Pavarësisht se nga ekspertë dhe njohës të fushës është vlerësuar e vështirë të realizohet në aspektin juridik faktet për këtë nuk mungojnë.
Mbi dy mijë kaseta me rreth katër mijë orë xhirime të masakrave më të mëdha në Kosovë i ka grumbulluar një i ri nga Drenasi.
Esat Shala shprehet i gatshëm të bashkëpunojë me qeverinë dhe nëpërmjet këtyre videove të dëshmohet gjenocidi serb. Këtë ai ia tha së fundi edhe ministres së drejtësisë, Albulena Haxhiu në një takim.
Në ministrinë e kësaj të fundit thonë se zbardhja e krimeve të luftës është prioritet. Padia për gjenocid është vlerësuar se mund të deponohet deri në fund të vitit të ardhshëm.
“Kemi fakte të mjaftueshme që me e dënuar Serbinë dhe me burgje ata që kanë bërë krime por edhe me i paguar dëmet e luftës në Kosovë”, tha ai për RTK’në.