Dështimi i 21-të, konstituimi i Kuvendit nuk shihet as në horizont

Prishtinë | 25 Maj 2025 | 12:51 | Nga Ekonomia Online

Dështoi edhe vazhdimi i sotëm i seancës, përpjekja e 21-të me radhë për konstituimin e këtij institucioni ligjvënës, raporton Ekonomia Online.

Vazhdimi i sotëm ishte i njëjtë me vazhdimet e mëparshme: përsëri tentim i Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë.

Kryesuesi Avni Dehari kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe që të bëjnë propozimet e kandidatëve të tyre për komision, por këto parti nuk pranuan dhe nuk morën pjesë në votim.

Nga 90 deputetët e pranishëm, 53 vota ishin për, një kundër dhe asnjë abstenim.

Dehari bëri të ditur se seanca ndërprehet dhe se do të vazhdojë më 27 maj, në orën 11:00.

Kurti u shmanget gazetarëve, Kryeziu: Absurditet i opozitës, po bllokon, ne po veprojmë sipas rregullores

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vazhdoi t’u shmanget gazetarëve, kësaj here duke
shfrytëzuar hyrjen nga parkingu për në Kuvend, raporton Ekonomia Online.


Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu, pas dështimit të 21-të me radhë të seancës konstituive të Kuvendit, akuzoi partitë opozitare për bllokim të qëllimshëm të procesit.


“Edhe sot e pamë veprimin e radhës, absurditetin e radhës të partive opozitare në Kuvend, të cilat nuk morën pjesë fare në votim – në formimin e komisionit i cili mundëson votimin e fshehtë. E kemi parë që vazhdimisht i kanë arsyetimet e njëjta.


Nuk ka reflektim nga partitë opozitare. Ne i kemi dy kërkesa që po i presim opinionet e Gjykatës Kushtetuese. Njëra ka të bëjë me votimin e mërgatës, nga kërkesa që ka dorëzuar VV-ja. Nuk kemi për çka të jemi nën presion, jemi sipas rregullores, po vijmë në Kuvend, po marrim pjesë në votim,”
“Ata që duhet të jenë nën presion janë deputetët që po vijnë dhe nuk po i përgjigjen kësaj procedure”, tha Kryeziu.

Çitaku: Qytetarët nuk kanë votuar për bllokadë, duhet të ecim përpara

Deputetja e PDK-sw Vlora Çitaku, pas dështimit për herë të 21-të të seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, tha se kjo situatë është e papranueshme për qytetarët e vendit, raporton Ekonomia Online.
Ajo i bwri thirrje kryetarit tw Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që të mos vazhdojë bllokadën e krijuar tash e sa javë lidhur me konstituimin e Kuvendit.


“Qytetarët e Kosovës nuk kanë votuar për bllokadë, qytetarët kanë votuar për të ndërtuar institucione të reja të cilat do të duhej të ballafaqoheshin me sfidat e qytetarëve tanë. Bëjmë apel që të reflektojnë, që të ecim tutje.


I bëjmë thirrje, i bëjmë ftesë z.Kurti që të reflektojë. Qytetarët e Kosovës nuk kanë votuar për bllokadë, kanë votuar për të ndërtuar institucione të reja që do të duhej të ballafaqoheshin me sfidat e qytetarëve. Fatkeqësisht asgjë nuk është duke ndodhur. I bëjmë edhe një herë apel në mënyrë që të ecim tutje. Kërkoj falje që nuk po kemi lajme më të mira për juve”, tha Çitaku.

Haziri: Besoj që racionaliteti politik do të çojë drejt një marrëveshjeje politike

Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, duke komentuar moskonstituuimin e Kuvendit, tha se ende beson në arritjen e një marrëveshjeje politike, raporton Ekonomia Online.

“Kronikë e zezë. Jemi pamundësuar të ushtrojmë detyrën tonë si përfaqësues të popullit. Edhe me tutje jam prej atyre që besoj që racionaliteti politik do të çojë drejt një marrëveshjeje politike për të krijuar shumicë dhe Kosova të zhbllokohet nga kjo marre politike padrejtësisht.”

Ai shtoi se pavarësisht nga disa kontakte individuale mes deputetëve, manovra të tilla, sipas tij, nuk e bëjnë të besueshme një marrëveshje të mirëfilltë politike.

“Ka veprime, por me deputetë individualisht. Kjo nuk e bën të besueshme një marrëveshje politike”, tha Haziri.

Kadrijaj: Vetëvendosje po kërkon ndihmë nga Vlen nw Maqedoni për vota

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se Lëvizja Vetëvendosje po kërkon ndihmë nga VLEN-i, koalicioni politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, për të siguruar votat në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e kryeparlamentares, raporton Ekonomia Online.


“Janë deklaruar edhe vetë që kanë aktivizuar miqtë nga VLEN-i në Maqedoninë e Veriut, sepse në fakt iu kanë borxh, sepse edhe këta i kanë ndihmuar që të vijnë në pushtet. Secili deputet vendos individualisht. Ne nuk kemi ndikim as te Adem Hoxha, por nuk kemi as ndikim te Duda Balje”, tha Kadrijaj, duke shtuar se posti i kryetares së Kuvendit mund të zgjidhet vetëm përmes një marrëveshjeje politike ose një koalicioni të gjerë.

Të ngjashme