U ndërpre vazhdimi i 40-të i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Vazhdimi i radhës më 5 korrik, në orën 11.00.
Dështim i sotëm vjen mbi një javë qëkur Gjykata Kushtetuese i obligoi deputetët që brenda 30 ditësh ta konstituojnë Kuvendin.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë vazhdimin e tri seancave të fundit konstituive.
Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi paralajmëroi se sot PDK-ja do të dorëzojë rast të ri në Gjykatën Kushtetuese, raporton Ekonomia Online.
“Pasi kanë ndodhur edhe tri shkelje kushtetuese radhazi, sot PDK-ka do të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese një rast të ri, për të cilin shpresojmë që do të trajtohet me urgjencë, meqenëse i kemi vetëm edhe 23 ditë për konstituimin e Kuvendit.
Janë 23 ditë që i kanë mbetur Albin Kurtit që të tërhiqet nga pengmarrja e shtetit dhe ta ndryshojë propozimin e tij dh të kthehet në normalitetin e rrjedhjes së seancës”, tha Krasniqi.
Edhe deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, ka deklaruar se Kushtetuta e Kosovës po shkelet çdo ditë me vetëdije të plotë nga Lëvizja Vetëvendosje, raporton Ekonomia Online.
Ai ka theksuar se edhe LDK-ja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të adresuar këto shkelje.
“Është duke u shkelur me vetëdije dhe po shkelet çdo ditë. Në këtë mënyrë po hyjmë në një krizë edhe më të thellë. Jemi në përgatitje të lëndës për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe jemi në koordinim dhe bashkëbisedim për të parë se si do t’i qasemi.
Do t’i qasemi Gjykatës Kushtetuese me pyetje dhe adresim, sepse si aktgjykimi i fundit, ashtu edhe Kushtetuta e vendit janë duke u shkelur në seancat e fundit”.