Kampioni i Kosovës, Feronikeli, ka lëshuar rast të artë për t’u kualifikuar në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Shumëçka kishte në anën e tij të martën mbrëma kur luajti ndeshjen kthyese në Prishtinë: kundërshtarin më të dobët të mundshëm të këtij rrethi – TNS-në e Uellsit – pastaj rezultatin 2:2 nga ndeshja e parë në udhëtim, si dhe rreth 10 mijë tifozë pas vetes.
Por asnjë nga këto nuk mjaftoi. TNS-ja shënoi një gol dhe shkoi tutje, kurse Feronikeli do të vazhdojë garat në Ligën e Evropës dhe eventualisht do të nxjerrë një mësim nga kjo, nëse jo edhe përgjegjësit. Deri më tash askush në klub nuk ka marrë përgjegjësinë për disfatën. Trajneri Zekirija Ramadani pas ndeshjes tha se “ekipi luajti mirë, dha maksimumin, por i mungoi fati”, shkruan sot Koha Ditore.
E ata që e kanë përcjellë ndryshe këtë ndeshje, pa shumë ngarkesë e përgjegjësi, thonë se fati i keq është i fundit që duhet “të akuzohet”.
Bekim Isufi, që vjet udhëhoqi Dritën në këtë garë, dhe Afrim Tovërlani që në të kaluarën ka drejtuar Feronikelin, thonë se skuadra nga Drenasi pagoi për lojën pa strategji dhe për rezultatet që kishte në mendje pas barazimit 2:2 që nxori si mysafire.