“Dështimi i rastit të Veteranëve është dëshmi e gjendjes së tmerrshme të prokurorisë së shtetit dhe gjyqësorit”

Prishtinë | 23 Pri 2021 | 15:55 | Nga Ekonomia Online

Drejtësia Sot, me shqetësim të madh ka pranuar sot aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë i cili liron nga aktakuza të akuzuarit për rastin e njohur si ‘Veteranët’. Të njëjtit sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), janë akuzuar se në cilësinë e anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i kanë njohur statusin e Veteranit Luftëtar, rreth 19.500 personave të cilët nuk i kanë takuar kësaj kategorie. Me këto veprime të kundërligjshme buxhetit të Republikës së Kosovës i kanë shkaktuar dëm në shumë prej 88.769.217.04 euro.

Sipas aktgjykimit të siguruar nga Drejtësia Sot, thuhet se ndër të tjera, PSRK ka dështuar të ndajë veprimet inkriminuese të të akuzuarve të kryera në bashkëveprim, ka dështuar të provojë dashjen, ka dështuar të provoj se, rritja e numrit të veteranëve luftëtarë të jetë e ndërlidhur me veprimet të të akuzuarve, ka dështuar që të provoj se 19.500 aplikuesit, a janë vërtetë përfitues të kundërligjshëm apo jo të njejtit, të gjitha çështje për të cilat Drejtësia Sot kishte reaguar që në fillim të këtij gjykimi.

Sipas analizës së publikuar nga Drejtësia Sot në janar të vitit 2020, aktakuza e ngritur nga PSRK, kishte mangësi të mëdha. E njejta i përfshinte të gjithë të akuzuarit në një pikë të dispozitivit dhe dështonte të shpjegojë veprimet inkriminuese të të pandehurve veç e veç, element ky i domosdoshëm për sqarimin e rolit të secilit të akuzuar në këtë rast. Një veprim i tillë ka rrezikuar qëndrueshmërinë e të gjithë rastit dhe ka dobësuar përfaqësimin e tij pranë gjykatës. Një qasje e tillë nga Prokurori i rastit është qasje jo-profesionale dhe kontribon dukshëm në mohimin e drejtësisë dhe përkrahjen e kriminalitetit në vend.

Në të njëjtën kohë, Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi edhe për shkeljet e Kodit të Procedurës Penale të kryera nga gjykata duke filluar nga afatet ligjore për caktimin e seancave të shqyrtimit gjyqësor, duke e tejkaluar atë për më shumë se 200 ditë, praktikë kjo që ndikon në zvarritjen e lëndës, në vonimin e drejtësisë dhe në dështimin e luftimit të krimit e korrupsionit në vend. Për më tepër, është raportuar edhe për vendimin e jashtëligjshëm lidhur me refuzimin e kërkesës së PSRK-së për vendosje të masës së përkohshme lidhur me ndalimin e pensioneve ndaj personave të cilët dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme e kanë fituar statusin e “Veteranit Luftëtar”.

Ky vendim është vendimi i rradhës i cili është tregues i qartë i sistemit të kalbur të drejtësisë, i cili dështon të ngrisë aktakuza që plotësojne elementet thelbësore të tyre, mbështeten në prova të pakontestueshme dhe mbrohen para gjykatës denjësisht. Për më tepër, është dëshmi direkte që tregon që sistemi, si i tillë që është, punon në të kundërtën e mandatit të tij, ashtuqë rezultati i punës së disa prokurorëve është kundërproduktiv dhe i dëmshëm në pakthim, duke ngritur aktakuza të cilat janë të destinuara për të dështuar e me këtë duke u bërë vet shkaktar për lirimin e të gjithë atyre që dyshohen të kenë abuzuar masivisht me buxhetin e shtetit të Kosovës.

Në situatën konkrete, ka nevojë për një veprim urgjent për të krijuar modalitetet më të mira për një kontroll të integritetit etik, profesionalizmit dhe paanshmërisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve që do mund të sanoj këtë gjendje abuzive e cila është bërë normë në vendin tonë. Prandaj, Drejtësia Sot i bën thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të vë fokus të veçantë në gjetjen e këtyre modaliteteve, ashtuqë të njejtat, të jenë gjithëpërfshirëse, të thella dhe serioze. Vetëm në këtë mënyrë mund të lirohet sistemi i drejtësisë nga kapja e politikës, interesave individuale e partizane.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme