LVV po manifeston vazhdimisht një model qeverisjeje që bazohet në institucione me ushtrues detyre, ku normalizimi i krizave bëhet pjesë e zakonshme e funksionimit. Një qeverisje me deficit legjitimiteti demokratik, formalisht legale, por politikisht e brishtë.
Nuk po shihet ende asnjë urgjencë reale për zgjedhjen e presidentit, edhe pse afati po skadon më 4-5 mars. Bisedimet mes partive politike kanë qenë sipërfaqësore, të zbehta, pothuajse tashmë të kolapsuara. Nuk do të ketë më takime mes PDK e LVV e takimi i fundit sot mes LVV dhe LDK vështirë se do të gjeneroj marrëveshje.
Kjo nënkupton që vendi mund të futet në një tjetër situatë “krize”, ku Presidentja e përfundon mandatin dhe kalojmë në ushtrues detyre. Një skenar i njohur tashmë në Kosovë. Një model i provuar në disa raste e gjithshtu një vazhdimësi e mentalitetit politik të vitit 2025.
Nëse do të kishte vullnet real nga Albin Kurti dhe LVV për konsensus, marrëveshja do të ishte e arritshme se kjo nuk është një matematikë e komplikuar por kërkon vullnet dhe vendosmëri.
Por kur nga takimi i fundit i nivelit të lartë na doli formula “secila parti propozon nga një kandidat”, e kjo praktikisht do të thotë se nuk ka pajtim dhe pa pajtim nuk ka shumicë të nevojshme.
E pa shumicë, nuk ka president në afat që nevojitet.
Kjo po duket si realizim gradual i një ideje të kahmotshme të LVV-së për kontroll të plotë institucional. Shumicën në Kuvend e kanë. Qeverinë e kontrollojnë plotësisht. Tani edhe Presidenca është hallka e fundit për ta mbyllur rrethin.
Nëse jo me konsensus, atëherë me zgjatje teknike, me ushtrues detyre, me mandate legale por me deficit legjitimiteti.
Këtë model e kemi parë, jo vetëm me qeveri e Kuvend por edhe në komunat e veriut ku kemi pasur kryetarë shqiptarë në komuna me shumicë serbe. Legalë ishin, por pa legjitimitet real politik se kishin vetëm 2-3% të votave apo besimit qytetar lokal. E kemi parë edhe me qeverinë e kuvendit gjatë 2025 dhe tani mund ta shohim edhe me presidencën.
Problemi në thelb është politik dhe demokratik.
Sepse demokracia nuk është vetëm ligjshmëri formale por nevojitet edhe legjitimitet, përfaqësim, marrëveshje mes aktorëve kryesorë.
Barën kryesore për këtë situatë e mban LVV dhe Kurti. Ata e kanë privilegjin e shumicës, por bashkë me të edhe përgjegjësinë për të ofruar zgjidhje të qëndrueshme dhe kredibile.
Ajo që po shohim e që mund të pasoj rrezikon të jetë një kuazi-legjitimitet institucione formalisht të rregullta, por politikisht të brishta. Një demokraci e shëmtuar me ushtrues detyre dhe mandate legale pa peshë reale përfaqësimi.
Dhe duket se kjo nuk e brengos shumë LVV-në, përderisa kontrolli institucional mbetet i plotë.
Logjika po duket e thjeshtë dhe e kemi dëgjuar shumë herë “Ose krejt, ose asgjë”. Kjo nuk është një metodë e qëndrueshme dhe një ditë padyshim kur një ‘eksperiment’ dështon, krejt do të kthehet në asgjë se këtu nuk ka ura e rrugë bashkëpunimi, vetëm imponim dhe arrogancë kryesisht.