Dështoi edhe vazhdimi i sotëm i seancës, përpjekja e 22-të me radhë për konstituim të këtij
institucioni ligjvënës, raporton Ekonomia Online.
Përsëri tentim i Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe Lista Serbe
që të bëjnë propozimet e kandidatëve të tyre për komision, por këto parti nuk pranuan dhe nuk
morën pjesë në votim.
Nga 109 deputetë të pranishëm në seancë, 54 votuan për, një kundër dhe asnjë abstenim.
Dehari bëri të ditur se seanca ndërpritet dhe se do të vazhdojë më 29 maj, në orën 11:00.
Kurti: Kosova ka Qeveri në detyrë, i nevojitet Kuvendi i ri, e konstituojnë të gjithë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Kosova vazhdon të ketë një qeveri në detyrë, por i nevojitet Kuvendi i ri, raporton Ekonomia Online.
“Kosova ka qeveri në detyrë, unë jam kryeministër në detyrë. Ajo që i ndihmon Kosovës është Kuvendi i ri i Republikës. Kuvendin nuk e konstituon fituesi, por të gjithë.
Si fitues të zgjedhjeve me 48 deputetë dhe me 9 deputetë të pakicave që na janë bashkuar, e kemi përgjegjësinë për ta formuar qeverinë. Pra, fituesi e ka përgjegjësinë për formimin e qeverisë.
Ndërkaq, për ta konstituuar Kuvendin, përgjegjësinë e kanë të gjithë deputetët dhe po bëjnë gabim që po e pamundësojnë kuorumin për votimin e fshehtë.
Sidoqoftë, edhe kjo çështje e votimit të fshehtë tashmë është adresuar në Gjykatën Kushtetuese dhe shpresoj e uroj për një përgjigje sa më të shpejtë nga ana e tyre”, tha Kurti për EO.
Çitaku: Bllokada e institucioneve e ka emrin e Albin Kurtit dhe Albulena Haxhiut
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, pas dështimit të sotme të seancës konstituive, kërkoi nga Vetëvendosje që të reflektojë, raporton Ekonomia Online.
“Bllokada e institucioneve e ka emrin e Albin Kurtit dhe Albulena Haxhiut. Edhe një herë bëjmë ftesë për reflektim.
Qytetarët na kanë votuar për t’i adresuar problemet dhe sfidat e tyre e jo për të përmbushur egot dhe kryeneçësinë.
Kosova është më e madhe se secili prej nesh”, tha Çitaku.
Abdixhiku: LDK-ja s’ka çantë magjike, VV-ja nuk do zgjidhje
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas dështimit të seancës së 22-të konstituive, tha se partia që ai drejton ka ofruar alternativa për dalje nga situata, por sipas tij, VV-ja nuk do, raporton Ekonomia Online.
“Qëndrimet e LDK-së dihen. I takon VV-së që të bëjë zgjidhje. Partitë e tjera nuk kanë numra, si duket as partia e parë nuk i ka. Turp, marre çka po ndodh këtu.
Më shumë se kaq nuk mund të bëjë LDK-ja, nuk ka çantë magjike, duhet të bisedojmë, të flasim për zgjidhjen eventuale. Duhet marrëveshje politike.
E vërteta është e thjeshtë: i ke 48 deputetë dhe nuk je në gjendje të ulesh me dike për zgjidhje dhe thua që nuk është urgjencë.
LDK nuk mund të bëjë magji. Nuk mund të bëjmë zgjidhje në një parlament, kur partia e parë nuk do të bëjë zgjidhje dhe insiston vazhdimisht të krijojë ambiente të tilla cirku”, tha Abdixhiku.
Haradinaj: Deklarata e Limajt çështje e së kaluarës, nuk kam koment
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, refuziu të komentojë deklaratat e liderit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, lidhur me një koalicion të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje, raporton Ekonomia Online.
“S’kam ndonjë koment, s’po më kujtohet asgjë… A keni ndonjë pyetje tjetër, kjo nuk është diçka relevante. Çdo gjë që lidhet me këta është e kaluar. Jemi para parlamentit. Jemi në bllokim të seancës. Sikurse e dini, ne në takat tonin si aleancë i kemi dhënë dy zgjidhje që mos të mbetemi të bllokuar, siç kemi mbetur tash e sa kohë.
Së pari kemi dhënë mundësinë të votojmë një kandidat të VV-së, por që na bashkon me votë, kemi dhënë emra. Po ashtu, e kemi bërë edhe një veprim të dytë: i jemi drejtuar gjykatës Kushtetueses, me qëllim që të dalim nga kjo gjendje”, tha Haradinaj.
Limaj: Jemi të gatshëm për partneritet në parlament, jo në qeveri
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pas dështimit të 22-të të seancës konstituive, tha se janë të gatshëm për partneritet në parlament, por jo në qeveri.
”Besoj se ne e e kemi bërë të qartë, Nisma është e gatshme për partneritet në parlament, ndërsa për qeveri kemi arsyet tona që nuk jemi të interesuar”, tha Limaj.