Qeveria e Britanisë së Madhe ka njoftuar se negociatat e këtij shteti me zyrtarët e Bashkimit Evropian në Bruksel janë bllokuar për shkak të dështimit të arritjes së marrëveshjes për ndryshime gjatë fundjavës së kaluar.
Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, dhe presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, kanë biseduar përmes telefonit të dielën në mbrëmje, por plani i shefes së qeverisë britanike për ta vizituar Brukselin për nënshkrim të ndonjë kompromisi tash për tash nuk do të realizohet.
Bashkimi Evropian po refuzon ta pranojë propozimin britanik për krijimin e një mekanizmi lidhur me çështjen e kufirit të Irlandës Veriore. Ky ndryshim do ta mbante Britaninë e Madhe brenda unionit të doganave dhe do t’i shmangte kontrollet kufitare në ishullin e Irlandës.
Kryeministrja ka bërë kërkesë në kuvend që marrëveshja e saj të votohet për herë të dytë të martën, por deputetët e partisë së saj e kanë këshilluar që ta ndryshojë datën e votimit në rast se ajo nuk arrin të sigurojë ndryshime tjera nga Brukseli.
Sidoqoftë, Komisioni Evropian ka refuzuar të zhvillojë negociata për çështjet që janë shtruar së fundi nga qeveria britanike dhe i ka hartuar planet e veta për t’u përballur me situatën që do të krijohej me largimin e Britanisë së Madhe pa marrëveshje, shkruan “The Guardian”.