Rreth 100 për qind më shumë së sa buxheti i planifikuar e Ministrisë së Shëndetësisë, ka qenë oferta e vetme për furnizim me vaksina sezonale.
Nga 2 milionë e gjysmë sa MSh-ja ka ndarë për këtë produkt, vetëm një operator ekonomik ka ofruar vaksinat por me vlerë rreth 5 milionë e gjysmë.
Për shkak të tejkalimit të buxhetit, tenderi siç ligjërisht është e përcaktuar në Ligjin e Prokurimit Publik, është anuluar.
Vaksinat sezonale, sipas rekomandimeve të organizatave ndërkombëtare që merren më shëndetësi fillojnë të jepen në fund të muajit tetor dhe vazhdojnë edhe në javët e para të nëntorit.
Ministria e Shëndetësisë, pas anulimit të këtij tenderi nuk ka asnjë mundësi që të bëjë furnizimin më kohë.
Kjo është herë e dytë që brenda disa muajsh është anuluar ky tender, raporton KOHA.
Në korrikun e këtij viti një nga zotimet e Qeverisë së Kosovës ishte që si masë për mbikëqyrjen e situatës epidemiologjike me COVID 19, të vaksinohen me vaksina sezonale gjysmë milioni kosovarë. Një zotim i tillë është pjesë edhe e vendimit të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, të mbajtur më 5 korrik.
Herën e parë ishte planifikuar blerja e rreth 400 mijë vaksinave sezonale. 8 euro asokohe planifikohej që të blihej një vaksinë, megjithatë oferta e vetme që e kishte pranuar MSh-ja, ishte rreth 8 milionë e gjysmë ose 22 euro për njësi. Për arsye të tejkalimit shumë të madh të buxhetit të planifikuar, tenderi ishte anuluar.
Ritenderimi kishte të tjera rrethana. MSh-ja pothuajse kishte përgjysmuar sasinë e vaksinave të kërkuara. Nga 400 mijë tanimë kishte kërkuar 250 mijë vaksina.
Vlera e buxhetit të planifikuar është rreth 2 milionë e 600 mijë euro.
Nëse kalkulohet kjo shifër me sasinë që planifikon Ministria e Shëndetësisë të kontraktojë, i bie që më së shumti një vaksinë do të blihet në vlerën 10 euro e 60 centë.
Megjithatë Ministria e Shëndetësisë, ka një kontratë të nënshkruar për furnizim me vaksina.
Në prillin e këtij viti, ky institucion, përmes prokurimit të UNICEF-it, ka kontraktuar rreth 120 mijë vaksina.
Dallimi i çmimit të tenderëve janë zhvilluar nga MSH-ja kanë vaksinat e kontraktuara përmes UNICEF-it, në prillin e këtij viti, ku për një vaksinë ishte paguar 5 euro e 51 centë.
Çmime më të ulëta për vaksina sezonale janë në dy vendet e rajonit.
Sipas çmimorëve publike, në Shqipëri çmimi i aprovuar për një vaksinë sezonale është 6.63 euro, ndërsa në Maqedoni është 13 euro.
Nëse kompania do të vendosë të ankohet atëherë do të zgjatë rreth dy muaj në OSHP. Koha e ankimimit nuk mund të shkurtohet, e as të hapet tender i ri pa një vendim të OSHP-së.
Tenderi për vaksina është i pari që rreth 15 vjetësh po zhvillohet nga Ministria e Shëndetësisë, pasi që nga viti 2005 vaksinat blihen përmes prokurimit të UNICEF-it. Çdo vit Kosova ka kontraktuar rreth 80 mijë vaksina sezonale në vit. Rritja e numrit këtë vit ishte synuar të bëhet për shkak të situatës me COVID-19.