Ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj ish-ministrit të Ministrisë së Administratës dhe Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, i cili akuzohet për veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.
Todosijeviq akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) lidhur me deklaratat fyese për masakrën e Reçakut, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Shkak i dështimit ishte kërkesa që kishte bërë mbrojtja e të akuzuarit, përkatësisht Nebojsha Vlajiq.
Ai këtë kërkesë e kishte bërë pasi sipas tij, ftesën nuk e kanë pranuar, ashtu siç parashihet 8 ditë para mbajtjes së seancës, por gjashtë ditë më parë.
Vlajiq ka thënë se i mbrojturi i tij, nuk e kishte pranuar ftesën dhe ka obligim që lidhet me fëmijët e tij, njëkohësisht, ai ka bërë të ditur se edhe ai vet është i angazhuar në këtë datë.
Ndryshe, prezent nuk ishte as gjykatësi i rastit Musa Konxheli, në vend të tij është paraqitur gjykatësja Valbona Musliu – Selimaj, e cila ka thënë se gjykatësi Konxheli ka rast vdekje.
E njëjta tha se është paraqitur për të informuar palët për kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarit dhe për faktin se gjykatësi ka rast vdekje.
Në sallë prezent ishte prokurori special, Atdhe Dema.
Seanca e ardhshme pritet të mbahet me 2 dhjetor, me fillim nga ora 9:30.
Ndryshe, Ivan Teodosijeviq, ishte ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, e cila është në bashkëqeverisje me PDK-në, AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe AKR-në.
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, në prill të këtij viti, e kishte shkarkuar atë nga kjo pozitë, pas deklaratës që kishte dhënë lidhur me masakrën e Reçakut.
Sipas aktakuzës së ngritur më 28 qershor 2019, i pandehuri në cilësinë e Ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal, duke keqpërdorur pozitën apo autorizimin e tij, me dashje, ka nxituar dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarja dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikës e Kosovës.
Sipas akuzës, me datë 24 mars 2019, në rrugën “Kralj Milutin” në Zveçan, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, në vitin 1999 në Kosovë, të ashtuquajtur “në kujtim të viktimave të bombardimeve të NATO-s”, shprehet se “Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, veprime këto të cilat mund të prishin rendin publik ose të shkaktojnë pasoja tjera më të rënda në Republikën e Kosovës.