Për shkak të mungesë së noterës Valbona Murtezi-Bytyqi, e cila po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare rreth shitblerjes së një lokali në lagjen Ulpiana në Prishtinë, të premten ka dështuar gjykimi ndaj saj dhe dy të tjerëve.
Në këtë rast, Murtezi-Bytyqi po akuzohet se në cilësinë e noteres në mënyrë të kundërligjshme ka përpiluar një anekse-kontratë, duke ndryshuar bashkë-blerësit e lokalit, ndërsa Agim Spahiu e Bekim Maloku akuzohen se kanë ndihmuar të njëjtën në kryerjen e veprës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me mungesën, mbrojtësi i saj, avokati Bedri Abdullahu, tha se e njëjta nuk ka mundur të jetë prezent në seancën e sotme për shkaqe shëndetësore.
Kështu, në këto rrethana seanca e sotme u shty, ndërsa e radhës u caktua për një date tjetër.
Sipas aktakuzës, Murtezi-Bytyqi akuzohet se, në cilësinë e noteres, në mënyrë të kundërligjshme ka përpiluar një aneks-kontratë, duke ndryshuar bashkë-blerësit e lokalit. Ndërkohë, Spahiu dhe Maloku akuzohen se kanë ndihmuar të njëjtën në kryerjen e veprës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Po ashtu, në seancë nuk ishte i pranishëm as pala e dëmtuar, Krenar Alidemaj. Sipas mbrojtësit të tij, avokati Burim Azemi, ai ndodhej në vuajtje të një dënimi në shtetin e Zvicrës.
Për shkak të mungesës së kushteve ligjore, seanca e paraprë që do të mbahej sot u shty për një datë tjetër.
Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më datë 17 korrik 2023, të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 25 janar 2023, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, noterja Valbona Murtezi-Bytyqi akuzohet për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar, ndërsa Agim Spahi dhe Bekim Maloku akuzohen se i kanë ndihmuar të njëjtës për kryerjes e veprës penale.
Sipas aktit akuzues, më 15 shkurt 2022, e pandehura Valbona Murtezi-Bytyqi në cilësinë e noteres të cilës i janë besuar kryerja e autorizimeve publike që të vendos për të drejtat, obligimet ose interesat e personave fizikë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo tjetrit ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme ashtu që ka përpiluar “Aneks-Kontratën për shitblerjen e paluajtshmërisë – lokalit në lagjen Ulpiana”.
E përmes të cilit, aktakuza thotë se e pandehura Murtezi-Bytyqi ka ndryshuar njërin nga dy bashkë-blerësit në këtë rast të dëmtuarin Krenar Alidema sipas kontratës bazë, të cilën e pandehura e ka përpiluar pa e pasur pëlqimin apo aprovimin e tij për tërheqje dhe pa e nënshkruar, i cili edhe kishte kryer edhe obligimin sipas kontratës bazë, pagesën e shumës së caktuar për blerjen e lokalit, në bashkë-blerësin e ri, të pandehurin Agim Spahiu.
Tutje aktakuza thotë se me ketë rast i ka shkaktuar dëme të dëmtuarit Alidema, duke ia mohuar të drejtat e parapara në kontratën bazë dhe ka përfituar personi tjetër, ndërsa i pandehuri Spahiu pas lidhjes se aneks-kontratës nga e pandehura, i njëjti është duke e shfrytëzuar lokalin i cili ka qenë objekt i kontratës bazë dhe aneks-kontratës.
Me këto veprime, Murtezi-Bytyqi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe burgim prej tre deri në dhjetë vjet.
Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë kësaj aktakuze, të pandehurit Spahiu e Maloku akuzohen se në bashkëkryerje e kanë ndihmuar të pandehurën Murtezi-Bytyqi për kryerjen e veprës penale të përshkruar si më lartë, duke nënshkruar “Aneks Kontratën për shitblerjen e paluajtshmërisë-lokalit”, pa qenë prezent dhe në dijeni i dëmtuari Alidema.
Me këtë, Spahiu e Maloku ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Ndihmë”, nga neni 33 në kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, e cila dënohet më dënim më të butë sesa kryesi i veprës.