Për shkak se mbrojtësi i të akuzuarit Lutfi Dervishi, avokati Besnik Berisha është i angazhuar në një rast tjetër, ka dështuar të mbahet seanca e së enjtes në rastin e njohur si “Medicus”.
Ndryshe, në këtë rast, urologu Lutfi Dervishi dhe djali i tij, Arban Dervishi, po ngarkohen se në bashkëkryerje kishin kryer veprat penale të krimit të organizuar dhe trafikimit me qenie njerëzore.
Një gjë e tillë është bërë e ditur nga anëtari i trupit gjykues në këtë rast, gjykatësi Kujtim Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas tij, avokati Berisha sot e ka njoftuar kryetaren e trupit gjykues, gjykatësen Nushe Kuka-Mekaj përmes email-it se i njëjti nuk mund të jetë i pranishëm, për shkak se është i angazhuar në një rast tjetër.
Po ashtu, gjykatësi Krasniqi bëri të ditur se gjykatësja Kuka-Mekaj e ka anuluar seancën e sotme, si dhe janë njoftuar palët në këtë procedurë.
Kurse, për seancën e radhës, gjykatësi Krasniqi tha se janë në koordinim.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 15 tetor 2010, konkretisht prokurori Jonathan Ratel, kishte ngritur aktakuzë kundër urologut Lutfi Dervishi, djalit të tij Arban Dervishi, mjekëve Driton Jilta dhe Sokol Hajdini, si dhe ish-sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Rrecaj.
Pas 5 ditësh, më 20 tetor, ishte ngritur aktakuzë edhe kundër mjekëve Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla. Që të dyja këto ishin bashkuar në një aktakuzë të vetme më 29 nëntor 2010 dhe janë konfirmuar më 27 prill 2011.
Shqyrtimi kryesor për këtë rast kishte filluar më 4 tetor 2011. Ndërkaq, më 22 mars dhe 17 prill 2013, ishte bërë ndryshimi dhe zgjerimi i aktakuzës në fjalë.
Kurse, pas 106 seancave gjyqësore të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë më 29 prill 2013, Lutfi Dervishin e kishte dënuar me 8 vjet burg dhe 10 mijë euro për “trafikim me njerëz në bashkë-kryerje” dhe “krimit të organizuar”, ndërkaq u refuzuan akuzat për “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”, “lëndim të rëndë trupor”, “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve”.
Të njëjtit iu shqiptua edhe dënimi plotësues i ndalimit nga ushtrimi i profesionit të urologut në kohëzgjatje prej dy vitesh. Për të njëjtat vepra penale u dënua edhe djali i tij Arban Dervishi, me 7 vjet e 3 muaj burg dhe me 2 mijë e 500 euro gjobë. Ndërkaq, i njëjti u lirua nga akuzat për “lëndim të rëndë trupor”, kurse akuzat për “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve” u refuzuan.
Sokol Hajdini ishte liruar nga akuza për “krim të organizuar”, por ishte dënuar për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”, me 3 vjet burg. Ndaj të njëjtit, u shqiptua edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të profesionit të anesteziologut në kohëzgjatje prej 1 viti.
Kurse, akuzat për “trafikim me njerëz” dhe “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”, u refuzuan.
Anesteziologët Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla, për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”, u dënuan me burgim me kusht për një vit, ndërkaq ndaj tyre u refuzua akuza për “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”.
Në fund, ish-sekretari permanent në Ministrinë e Shëndetësisë (MSh), Ilir Rrecaj u shpall i pafajshëm për “shpërdorim të pozitës zyrtare apo autorizimeve”, përderisa akuza për “falsifikim të dokumenteve zyrtare” u refuzua. Ndërkaq, Driton Jilta i pati shpëtuar dënimit, pasi veprat për të cilat ai akuzohej “ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë njerëzore” dhe “shpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimeve” ishte vjetërsuar.
Tutje, me 25 nëntor 2013, Gjykata Themelore urdhëroi mbylljen dhe konfiskimin e Klinikës “Medicus”.
Ndaj këtyre dy vendimeve, mbrojtësit e pesë të dënuarve dhe prokurori kishin paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila më 6 nëntor 2015, kishte vërtetuar dënimet e të pandehurve dhe kishte liruar objektin e klinikës “Medicus”, me arsyetimin se nuk ka bazë për konfiskim.
Apeli, Arban Dervishin nga 7 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë, e kishte dënuar me 8 vjet burgim, si dhe Sokol Hajdinin nga 3 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë vetëm për “lëndim të lehtë trupor”, ishte dënuar me 5 vjet burgim, duke u shpallur fajtor edhe për “krim të organizuar”. Ndërkaq, dy të dënuarit me kusht nga shkalla e parë, Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla, ishin shpallur të pafajshëm nga shkalla e dytë.
Ndërsa, më 5 prill 2016, mbrojtësi i Lutfi Dervishit, avokati Linn Slattengren kërkoi nga Supremja të pezullojë zbatimin e aktgjykimeve të kundërshtuara, e cila kërkesë ishte refuzuar më 16 prill të po atij viti. Njëkohësisht me kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë, Sokol Hajdini dhe Lutfi Dervishi kishin parashtruar ankesa kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Me një vendim të marrë më 26 maj 2016, Gjykata Supreme, kishte hudhur ankesën e Dervishit si të palejuar.
Ndërkaq, me 20 shtator, kjo gjykatë mori aktgjykim lidhur me ankesat e parashtruara nga Sokol Hajdini dhe avokati i tij mbrojtës, sipas të cilit Hajdini lirohet nga akuza e “krimit të organizuar”. Ndërkaq, iu vërtetua dënimi sa i përket veprës penale “lëndim i rëndë trupor” dhe kohëzgjatja e burgimit u ndryshua në tre vjet.
Kundër këtij aktgjykimi, më 2 nëntor 2016 dhe 30 nëntor 2016, Sokol Hajdini dhe Kryeprokurori i Shtetit kanë paraqitur kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë.
Sa i përket këtij rasti, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar për Lutfi dhe Arban Dervishin, pas arratisjes së tyre nga ekzekutimi i dënimit, pas vërtetimit të formës së prerë të aktgjykimit nga Gjykata e Apelit.
Rasti “Medicus”, ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme, ndërsa në seancën e parë të këtij rigjykimit në vitin 2017, ishte veçuar procedura ndaj Arban Dërvishit, pasi i njëjti gjendej në arrati.
Pas kthimit në rigjykim, kryetare e trupit gjykues ishte Francesca Fisher, ndërsa prokurore Valeria Bolici, që të dyja pjesë e misionit të EULEX-it.
Në seancën e 6 korrik 2017, Lutfi Dervishi ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat e trafikimit me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa i pafajshëm për akuzat për lëndim të rëndë trupor, është deklaruar edhe mjeku anesteziolog, Sokol Hajdini. Në rigjykim të parë në këtë rast, ishin mbajtur mbi 30 seanca gjyqësore.
Gjykata Themelore në Prishtinë, në maj të vitit 2018, Lutfi Dervishin e kishte shpallur fajtor për veprat penale, krim i organizuar dhe trafikim me qenie njerëzore dhe të njëjtin e kishte dënuar me shtatë vjet e gjashtë muaj burgim, si dhe 8 mijë euro gjobë. Kurse, anesteziologu Sokol Hajdini, për lëndim të rëndë trupor ishte dënuar me një vit burgim.
Mjekut Dërvishi, i ishte ndaluar edhe ushtrimi i profesionit të urologut prej dy vjetësh nga koha kur dënimi me burg është kryer, kurse në dënimin e shqiptuar, do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 4 nëntori 2008 deri me 3 dhjetor 2008, si dhe 10 janar 2017 deri në ditën kur ky aktgjykim bëhet i formës së prerë.
Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin për të akuzuarin Lutfi Dervishi, duke e kthyer lëndën në rigjykim, ndërsa për të akuzuarin Sokol Hajdini e kishte refuzuar akuzën për shkak të parashkrimit absolut të veprës penale.
Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë ishte përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se dispozitivi i aktgjykimit nuk ishte i qartë dhe nuk përshkruan veprimet inkriminuese konkrete të të akuzuarit Dervishi në raport me provat e administruara dhe të cilat është mundësuar t’i arsyetojë gjykata e shkallës së parë. Në këtë aktvendim thuhet se nuk është përcaktuar as shuma e dobisë pasurore të përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga grupi i organizuar apo pjesa e dobisë pasurore e të akuzuarit Lutfi Dervishi dhe se në raport me dëshmitarët e mbrojtur nuk përmendët emri e as veprimet e të akuzuarit Dervishi.
Pas kthimit të këtij rasti në rigjykim vetëm për të akuzuarin Lutfi Dervishi, kryetare e trupit gjykues ishte caktuar gjykatësja Nushe Kuka – Mekaj, e cila procedurën penale të Lutfi Dervishit ka bashkuar edhe me atë të djalit të tij, Arban Dervishi, që në gjykimin e mëparshëm ishte veçuar procedura ndaj tij, për shkak se ndodhej në arrati.
Në seancën e 20 janarit 2020, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, duke iu referuar cilësimit juridik të veprave penale, në këtë seancë kishte thënë se ka gjetur se të akuzuarit ngarkohen për veprën penale të krimit të organizuar, në drejtim të veprës penale të trafikimit me qenie njerëzore të kryer në bashkëkryerje, ashtu që ka kërkuar nga prokurori special Agron Bajrami, nëse kishin të bëjnë me veprën penale krim të organizuar apo me bashkëkryerje, ngase sipas gjykatëses Kuka-Mekaj, këto përjashtojnë njëra tjetrën.
Gjithashtu, ajo kishte kërkuar që PSRK të përcaktojë se si duhet të procedohet me dëshmitarët e mbrojtur, në mënyrë që gjykata të fillojë bashkëpunimin juridik ndërkombëtar prej zyrës së EULEX-it, që të mund t’i dëgjojë këta dëshmitarë përmes video-linkut. Por, sipas saj, këta dëshmitarë duhet të ndahen, pasi aktakuza në këtë rast po zhvillohet vetëm për shtatë transplantime.
Ndërkaq, rigjykimi në këtë rast kishte filluar me 27 tetor 2020, ku palët në procedurë kishin dhënë fjalët e tyre hyrëse. /BetimipërDrejtësi