Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se synimi mbetet sigurimi i 80 votave për zgjedhjen e presidentit, pas takimit që zhvilloi me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. Ai bëri të ditur se ende nuk ka emra konkretë për kandidat, por e cilësoi si lajm të mirë faktin që PDK-ja ka vendosur të propozojë kandidatin e saj, duke shtuar se kjo hap rrugë për një garë në javën e ardhshme, raporton Ekonomia Online.
Kurti tha se gjatë takimit nuk u fol për ndonjë emër konkret dhe se e cilësoi si lajm të mirë që PDK pati propozim.
“Nuk u tha ndonjë emër konkret dhe nuk kishte mundësi për shumë diskutim të thelluar në këtë aspekt, ndonëse biseduam për zhvillimet dhe situatën politike jo vetëm në Kosovë, në rajon, por edhe në botë. Veçse për temën praktike, politike, institucionale për të cilën jemi takuar, nuk u tha ndonjë emër i përveçëm, e që dihet se është thelbësor për rrugën përpara. Tash, lajmi i mirë është që PDK-ja ka vendosur të propozojë një kandidat dhe kjo natyrisht që jep shpresë për garë interesante në javën e ardhshme. Meqenëse kandidati i propozuar si konkluzion i mbledhjes së kryesisë së PDK-së do të jetë propozim partiak, atëherë secila parti i ka propozimet e veta, secila parti është veçmas. Ne nuk kemi arritur që të kemi një kandidat i cili do të ishte konsensual, së paku jo deri më tani, e i cili do të shkonte përtej propozimeve partiake”, tha ai.
Kryeministri theksoi se pasi PDK propozoi që të ketë një emër nga ajo parti atëherë edhe Kurti u detyrua që të bëjë hapin e njëjtë.
“Por meqenëse kryesia e PDK-së insiston në propozime të partive, atëherë siç është Bedri Hamza kryetar i PDK-së edhe unë jam kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, natyrisht subjekte politike të ndara dhe konkurruese, rivale në skenën politike. Por po e ritheksoj që është një njoftim i mirë që PDK-ja e ka diskutuar dhe e ka konstatuar që ajo si parti ka nevojë të ketë propozimin e saj. Tash, ne e dimë që si mazhorancë i kemi 66 deputetë, nga të cilët 57 janë të Lëvizjes Vetëvendosje me partnerët tanë të koalicionit parazgjedhor Guxo dhe Alternativa. Në anën tjetër të këtij 66-shit tonë që më votoi për Kryeministër në këtë mandat të legjislaturës së dhjetë, e kemi PDK-në e cila i ka 22 deputetë, pra një të tretën e mazhorancës.
Dhe megjithatë, ata janë subjekti i dytë për nga pesha në Kuvendin e Republikës dhe askush nuk mund të jetë afër sikur ata që këtë numër 22 ta bëjë 30, duke shtuar edhe tetë nënshkrime për propozimin që do të jetë nga ana e PDK-së. Ta shohim tash se si do të ecë kjo punë, por në rastin më të keq aty mund të ndihmojmë ne, ose mund t’i ndihmojë edhe dikush tjetër, në mënyrë që të kemi garë. Sepse ju e dini që aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese para më shumë se një dekade kërkon që të ketë garë. Pra, nuk është e mundshme që të ketë një propozim dhe në fletëvotim për president të jetë veçse një emër i përveçëm. Andaj shpresoj që të kemi një garë ku emrat të dihen sa më shpejt, por tash për tash ky nuk është rasti“, u shpreh Kurti.
Kurti përmendi se gjatë të dieles në takimin që do të mbahet me këshillin e LVV-së do të flitet edhe për çështjen e presidentit/es.
“Po atje po duket se po shkojmë. Ne kemi mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje nesër. Natyrisht që mbledhjen e nesërme nuk e kemi thirrur enkas për çështjen e presidentit të Republikës. E kemi thirrur para së gjithash për shkak se është obligim statutor i yni kronologjik që t’i kemi katër mbledhje në vit, pra çdo tre muaj. Dhe sidomos për shkak se sivjet, 2026-ta, është vit zgjedhor në Lëvizjen Vetëvendosje. Zgjedhjet herën e fundit në Vetëvendosje i kemi mbajtur në vitin 2022. Patën filluar zgjedhjet me 15 mars asokohe dhe u patën përmbyllur me 23 nëntor. Pra, zgjedhje në të gjitha nivelet që kanë zgjatur diçka mbi gjashtë muaj. Tash na duhen përgatitje të reja në Lëvizjen Vetëvendosje, por natyrisht që do ta diskutojmë edhe këtë çështje. Dhe duket që kur s’ka mundësi për marrëveshje politike, kur s’ka mundësi për propozim konsensual, atëherë do të kemi propozime partiake që do të merren vesh shpejt. Por emrat e përveçëm duket që shkojnë edhe kjo e shtunë e fundit e ditës së fundit të muajit shkurt pa emra konkretë“, tha ai.
