Dështon mbledhja e Komisionit Hetimor për tekstet shkollore, mungojnë deputetët e VV-së

Prishtinë | 01 Nën 2024 | 13:57 | Nga Hasan Hoti

Për të tretën herë radhazi, Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024, ka dështuar në mungesë kuorumi, raporton Ekonomia Online.

Në rend dite ka qenë intervistimi i Fadile Dylës, sekretare e Përgjithshme e MAShTI, Avni Rexha, U.D. Drejtor i Departamentit të Arsimit Parauniversitar dhe Genc Hamzaj nga AShI.

Të pranishëm kanë qenë vetëm kryetari i komisionit, Shemsedin Dreshaj dhe anëtarët nga radhët e LDK-së, Vlora Dumoshi e Agim Veliu.

Kryetari i komisionit, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se ky komision fatin do ta ketë si të tjerët, të mos përfundojë punën e vet. E sheh të paprecedentë largimin e mazhorancës nga kuvendi.

“Po e shihni atmosferën, po bëhet fjalë për një bojkot komplet të strukturave qeverisëse që për herë të tretë radhazi nuk krijojnë kushtet që komisioni të vazhdojë punën…ky vend duhet ta kuptojë një gjë. Që ky komision s’ka pasur qëllime të këqija por vetëm të shihet metodologjia më e mirë dhe më e lirë për furnizimin me tekste”, ka deklaruar Dreshaj.

“Në momentin kur duhet që gjetjet që janë të shumta, të raportojmë para Kuvendi e qytetarëve për paratë që janë marrë nga taksat e tyre, janë tentativa që mos të realizohet puna e komisionit. Ky komision fatin do ta ketë si të tjerët, të mos përfundojë punën e vet. S’kam pa asnjëherë që mazhoranca të mos e jetë në kuvendin. Është jo e mirë sepse ky komision në kuvend nuk ka mundur të votohet pa votuar mazhoranca. Tash ajo s’vjen”, ka thënë ai.

Kritika për mungesë të mazhorancës kanë pasur edhe dy deputetët e LDK-së, Vlora Dumoshi dhe Agim Veliu.

Të ngjashme