Dështon seanca e dhjetë për konstituimin e Kuvendit, deputetët shihen sërish të hënën

Prishtinë | 03 Maj 2025 | 10:41 | Nga Ekonomia Online

Për herë të dhjetë të shtunën dështoi përpjekja e konstituimit të Kuvendit. Ashtu si të enjten, edhe seanca e sotme nisi me votimin për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë, raporton Ekonomia Online.

Deputetët do të shihen sërish të hënën. Për vazhdimin e 11-të, njoftoi kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Komisioni zgjedhor për të votuar nga forma e hapur në të mbyllur nuk kaloi. Propozimi për votim të fshehtë nga kryesuesi i seancës konstituive, u refuzua nga shumica e partive, të cilat e konsideruan të papranueshëm këtë veprim.

54 vota ishin për, kundër ishte 1 dhe nuk kishte asnjë abstenim.

Krasniqi: As për të 100-n herë nuk kalon Haxhiu, ky Kuvend s’e meriton një figurë të tillë në krye

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas dështimit të seancës, ka thënë se Albulena Haxhiu nuk kalon as në votimin e 100-të, sepse “ky Kuvend nuk e meriton ta ketë në krye një figurë të tillë”.

Sipas Krasniqit, Kurti po e mban peng Kuvendin sepse nuk i ka votat për formimin e Qeverisë.

“As në herën e 100-të nuk kalon Albulena Haxhiu sepse nuk e meriton ky Kuvend ta ketë në krye një figurë të tillë. I ftojmë që t ndërrojnë kandidatin, që të sjellin një propozim që mund të marrë votat e deputetëve. Albin Kurti nuk i ka votat për me u bë kryeministër dhe kjo është arsyeja kryesore që po e mban peng Kuvendin”.

Bajrami e përsërit: Nuk kemi votë për Albulena Haxhiun

“Nuk kemi votë për Albulena Haxhiun”, ka përsëritur sërish deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, pas dështimit të seancës së dhjetë konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Ajo ka thënë se ka thënë se përderisa Lëvizja Vetëvendosje nuk do të reflektojë, situata do të mbetet e njëjtë, raporton Ekonomia Online.

Bajrami përsëriti se ndryshimi për votim të fshehtë është shkelje ligjore e kushtetuese.

“Edhe përkundër faktit që dje ishte një ditë e keqe për Kosovën e në veçanti për komunitetin e tij, ajo që jeni përballur për plot 1 vit. Na vjen keq dhe zotohemi para jush që në emër të LDK do të jeni gardian të lirë, na vjen keq që prej datës 15 prill jemi takuar çdo 48 orë, tash LVV ka vendos strategji, dhe po kërkon votë për një komision për votim të fshehur, që është argumentuar që është shkelje ligjore dhe kushtetuese ndryshimi i votimit.

“Ne nuk do të votojmë dhe nuk do të bëhemi pjesë e një shkelje të tillë. Zoti Dehari nuk është se është fitues por për shkak të moshës. Ne nuk kemi votë për Albulena Haxhiun”, tha Bajrami.

Kadrijaj: I gjori Avni Dehari, po punon sipas skenarit të VV-së

Deputetja e zgjedhur e AAK-së, Time Kadrijaj thotë se VV-ja nuk i ka votat për lojërat politike që po i bën, raporton Ekonomia Online.

Ajo ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po e shfrytëzon kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari, për taktikat e tyre politike.

“Tash po kërkojnë votë për formimin e komisionit, ndërsa nuk e kemi emrin e kandidatit. Fillimisht duhet të vijë emri i kandidatit. Ne nuk e dimë për cilin kandidat do të votojmë. As për komision nuk i kanë votën. Nëse nuk ndryshojnë qasje, kështu do të vazhdojë. Këto janë taktika të LVV-së që po e keqpërdorin pozitë e kryesuesit (Avni Deharin) dhe i gjori po punon sipas skenarit të LVV-së. LVV-ja duhet ta ndryshojë kandidatin”, ka thënë ajo.

Gërvalla për formimin e Qeverisë: Ose koalicioni fitues, ose opozita me Listën Serbe


Deputetja e zgjedhur nga Lista Guxo, Donika Gërvalla, ka kritikuar opozitën për bllokimin e konstituimit të Kuvendit, duke e quajtur këtë një situatë të papranueshme që po shkakton irritim tek qytetarët, raporton Ekonomia Online.

Sipas saj, jashtëtokësorët nuk mund ta vijnë e të sigurojnë vota për partitë opozitare.

“Vetëm dy alternativa ka, ose koalicioni fitues e bën qeverinë, ose opozita me Listën Serbe. Këto janë dy koalicione të mundshme nuk ka të tjera, se nuk mund të vijnë jashtëtokësorët të sigurojnë vota për partitë opozitare”, tha ajo.

Ajo shtoi se koalicioni i saj nuk synon zgjedhje të reja, por nuk do t’i shmanget atyre nëse janë të pashmangshme.

“Presim që të hënën të fitojë arsyeja dhe të mos vazhdohet me bllokadë. Ne kemi ofruar alternativa, por jo pazare – sepse pazaret nuk sjellin zhbllokim,” u shpreh Gërvalla.

Të ngjashme