Dështon seanca ndaj 20 policëve të veriut që akuzohen për korrupsion e kontrabandë, pasi disa nuk kanë angazhuar avokat

Prishtinë | 25 Mar 2022 | 11:57 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore në të cilën janë të involvuar 20 policë, si të dyshuar për korrupsion e kontrabandë me mallra, raporton Ekonomia Online.

Në këtë rast po akuzohen Zvezdan Spasojeviq, Biljana Nedeljkoviq, Abdurrahim Haxhiq, Albert Maxhuni, Milija Milunoviq, Oliver Kuzmanoviq, Ramadan Mustafiq, Dejan Spasojeviq, Dragosh Kompiroviq, Jasna Durleviq, Zenel Bahtiri, Ali Pllana, Zoran Radunoviq, Reshat Kuçi, Vukadin Tomasheviq, Blagica Tomoviq, Ljubisa Vujinoviq, Burim Merovci, Blagoje Lazoviq dhe Nebojsa Gogiq.

Gjyqtarja Shadije Gërguri tha se seanca do të shtyhet për datat 18 dhe 19 maj, nga ora 9:30 minuta.

Shkak i dështimit të seancës së premtes ishte mungesa e mbrojtësit të të akuzuarit Reshat Kuçi, avokatit Isa Salihi, për të cilin gjykatësja Gërguri tha se nuk e ka arsyetuar mungesën e tij.

Gjithashtu, u konstatua se të akuzuarit Abdurrahim Haxhiq dhe Ramadan Mustafiq nuk kanë mbrojtës, për çka gjykatësja Gërguri tha se do ta njoftojë Odën e Avokatëve për caktimin e avokatëve, pasi që mbrojtja është obligative.

Musa Damati, avokati i eprorit të policisë me inicialet N.G., në një konferencë pas dështimit të seancës së gjykimit, tha se në procedurën penale të shqyrtimit të rastit para gjykatës po dalin probleme lidhur me provat e caktuara dhe procedimin e këtij rasti më tutje.

Ai shtoi se për klientin e tij nuk ka prova të mjaftueshme lidhur me veprën penale që akuzohet klienti i tij.

“Unë përfaqësoj eprorin e policisë me inicialet N.G.. Është ky rasti më i madh dhe operacioni më i madh i vitit 2019, që përfundoi me arrestimin e 33 personave, në mesin e tyre zyrtarë të lartë policorë dhe biznesmenë e afaristë të caktuar”.

“Në procedurën penale të shqyrtimit të rastit para gjykatës po dalin probleme lidhur me provat e caktuara dhe procedimin e këtij rasti më tutje”.

“Për klientin tim, epror i lartë i policisë së Kosovës nuk ka prova të mjaftueshme të cilat mund të krijonin elemente inkriminuese në bazë të së cilës mund të krijohej figura e veprës së posaçme penale me të cilën ai ngarkohet. Pas përfundimit të procesit gjyqësorë presim pafajësinë e tij”, theksoi Damati.

Edhe Avokati Ramë Dreshaj tha se në gjykimin e këtyre rasteve mbrojtja ka qenë e obligueshme. Ai shtoi se në raste të tilla kur mbrojtja është e obligueshme nuk guxon të vazhdojë seanca.

“Seancë e sotme dështoi për faktin që nuk është llogaritur mirë, sipas ligjit, se sa është dënimi për ndonjë vepër penale që është përfshirë në aktakuzë mbi 10 vite, faktikisht ligjvënësi e ka paraparë që mbrojtja është e obligueshme”.

“Kur është nën 10 vite, varet prej palëve nëse duan të angazhojnë avokat apo jo. Nëse nuk don nuk është i obliguar… Për ata edhe nuk u mbajt gjykimi”.

“Unë për vete e kam ditur që nuk mund të vazhdohet tutje që në fillim, por mendoj se avokati i njërit nga të akuzuarit që mungoi nuk e ka analizuar që mbrojtja është e obligueshme. Nuk mund të vazhdohet seanca nëse mbrojtja në këtë rast nuk është prezente, sepse konsiderohet shkelje e rëndë procedurale. Shkalla e dytë vetëm për këtë çështje e kthen në rigjykim”, tha ai.

Bashkë me 20 policët e veriut akuzoheshin edhe Bozhidar Milosavljeviq dhe Krsto Subotiq, por ndaj të njëjtëve gjykata ka pushuar procedurën penale, për shkak se kanë ndërruar jetë.

Në seancën e mbajtur më 16 qershor 2020, 33 të akuzuarit kanë mohuar fajësinë, ndërsa dy të akuzuarit Krsto Subotiq i cili ka ndërruar jetë dhe Nysret Jashari kishin pranuar fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje.

Bashkë me 20 policët e veriut në këtë rast për kontrabandim me mallra janë të akuzuar Izet Jashari, Jeton Morina, Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Nysret Jashari, Sabri Isufi, Xhevdet Jashari, Arben Isufi, Bajram Uka, Besnik Morina dhe Faton Isufi, mirëpo rasti ndaj tyre ishte veçuar.

AKTAKUZA

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës me 16 qershor 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj 33 personave për dyshimin se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje ryshfeti”, “kontrabandë me mallra”, “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Zvezdan Spasojeviq në cilësinë e komandantit të stacionit, Biljana Nedekjkoviq në cilësinë e udhëheqëses së ndërrimit dhe të akuzuarit Milija Milunoviq, Albert Maxhuni dhe Abdurahim Haxhiq në cilësinë e policëve patrollues në kuadër të ndrrimit “A”, të SPMK në Zubin Potok, nga viti 2017 e deri në maj 2019, në bashkëkryerje me të akuzuarin Dejan Vukashinoviq i cili ndodhet në arrati, me dashje kishin shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, shkruan Betimi për Drejtësi.

Në aktakuzë thuhet se kishin lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshme si: kafshë, derivate, pije alkoolike, joalkoolike dhe mallra ushqimore nga Serbia në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, nëpërmjet rrugëve ilegale, derisa kishin qenë në detyrë zyrtarë duke mbikëqyrur rrugët kufitare.Të ngjajshme

Sipas PSRK-së, të njëjtit iu kishin mundësuar përfitim pasuror të kundërligjshëm të akuzuarve Dragoslav Igrutinoviq, Boban Radojkoviq, Dalibor Djukiq, Miljan Radisavljeviq, Miljojko Radisavljeviq, Zoran Vukomanoviq dhe persona të tjerë si transportues të mallrave, duke iu shmangur kontrollit doganor me rastin e importimit të mallrave, me ç’rast i kishin shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, sipas PSRK-së këta 5 të akuzuar kishin marrë-pranuar shuma të ndryshme të parave, për të vepruar në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare dhe atë për çdo automjet nga 20 deri në 100 euro, apo 150 euro, e që një pjesë të këtyre parave e kishin marrë për vete, ndërsa pjesën tjetër ua kishin ndarë policëve të ndërrimit.

Për të njëjtat veprime po akuzohen edhe Oliver Kuzmanoviq në cilësinë e udhëheqësit të ndërrimit, Ramadan Mustafiq, Dejan Spasojeviq, Dragosh Kompiroviq, Jasna Durleviq, Zenel Bahtiri, Bozhidar Milosavljeviq dhe Ali Pllana, në cilësinë e policëve patrollues në kuadër të ndërrimit “B”, të SRMK, në Zubin Potok dhe të akuzuarit Zoran Radunoviq në cilësinë e udhëheqësit të ndërrimit si dhe të akuzuarit Krsto Subotiq, Reshat Kuqi, Vukadin Tomasheviq, Blagica Tomaviq, Ljubisa Vujinoviq, Burim Merovci dhe Blagoje Lazoviq në cilësinë e policëve patrollues në kuadër të nderrimit “C”.

Për këto veprime, PSRK, në vazhdim dhe bashkëkryerje po i ngarkon me veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrja e ryshfetit”, për të cilat veprime dhe me të njëjtat vepra penale po ngarkohet edhe udhëheqësi i ndërrimit “D”, Nebojsha Gogiq.

Sipas PSRK-së, të akuzuarit Izet Jashari, Arben Isufi, Faton Isufi, Bajram Uka, Nysret Jashari, Xhevdet Jashari, Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Besnik Morina, Jeton Morina dhe Sabri Isufi, nga viti 2017 e deri në maj 2019, në bashkëkryerje me Dragoslav Igrutinoviq dhe Boban Raojkoviq të cilët gjenden në arrati, kishin kontrabanduar kafshë nga Serbia për në Kosovës, duke iu shmangur kontrollit doganor.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Besnik Morina, Jeton Morina dhe Sabri Isufi kishin udhëtuar në Serbi ku atje kishin blerë kafshë dhe më pas të njëjtat përmes marrëveshjes i kishin dorëzuar tek të akuzuarit Dragoslav Igrutinoviq dhe Boban Radojkoviq të cilat kafshë i kishin kontrabanduar përtej kufirit në mënyrë ilegale dukë bashkëpunuar me zyrtarët policor në SPMK-Zubin Potok, për të cilat shërbime ishin paguar në shumën prej 50 deri në 60 euro për një kafshë.

Më pas, siç thuhet në aktakuzë, të akuzuarit Izet Jashari, Arben Isufi, Faton Isufi, Bajram Uka, Nysret Jashari, Xhevdet Jashari, i kishin marrë kafshët nga fermat e të akuzuarve Dragoslav Igrutinoviq dhe Boba Radojkoviq dhe i kishin dorëzuar tek pronarët e tyre në fshatrat Pasomë dhe Akrashticë të komunës së Vushtrrisë dhe fshatin “Sankovc”, në Drenas, ku për bartjen e këtyre kafshëve kishin marrë 30-35 euro për një kafshë.

Sipas PSRK-së, vetëm për dy rastet e proceduara vlera e shmangies për mallrat e kontrabanduara është mbi 5 mijë euro, ku të njëjtit pas hetimit nga ana e policisë ishin arrestuar.

Për këto veprime, Izet Jashari, Arben Isufi, Faton Isufi, Bajram Uka, Nysret Jashari, Xhevdet Jashari, Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Besnik Morina, Jeton Morina dhe Sabri Isufi, po ngarkohen me veprën penale “kontrabandë me mallra”, nga nenin 317, par.1 lidhur me nenet 81 dhe 31 të Kodit Penal.

Po ashtu, të akuzuarit Nysret Jashari dhe Faton Isufi po ngarkohen edhe për veprën penale “armëmbajtje pa leje”, pasi gjatë urdhër kontrollit nga ana e policisë, tek i akuzuari Jashari ishin gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri AK-47, një pushkë M-48, 12 fishekë të pushkës automatike, 30 fishekë të pushkës M-48, një pjesë vazhduese e pushkës automatike.

Ndërsa, tek i akuzuari Isufi policia kishin gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie ”Zastava”, dhe dy fishekë të kalibrit 12 mm, të cilat armë dy të akuzuarit i kishin poseduar pa autorizim.

Të ngjashme