Kuvendi i Kosovës në seancën e së enjtes ka dështuar të miratojë projektligjin për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, pasi votuan vetëm 38 deputetë. Ky amendament është propozuar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, raporton Ekonomia Online.
Votimi i këtij projektligji ka dështuar në disa seanca.
Gjithashtu deputetët kanë dështuar që të miratojnë dy marrëveshje ndërkombëtare. Në mungesë të kuorumit nuk janë votuar Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër”, në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim dhe ai për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe organizatat e grupit të Bankës Botërore.