As në përpjekjen e 44-të, deputetët nuk e konstituan Kuvendin e Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, raporton Ekonomia Online.
Edhe më tej nuk ka pajtueshmëri midis Lëvizjes Vetëvendosje në njërën anë dhe partive të tjera në anën tjetër, për formimin e një komisioni për votim të fshehtë të kandidates për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Seanca zgjati sërish vetëm pak minuta dhe kryesuesi i seancës, Avni Dehari, i ftoi deputetët të mblidhen sërish pas 48 orësh, më 11 korrik.Në sallë ishin 101 deputetë. Prej tyre, 55 votuan për.
Pati disa fjalime nga deputetët e opozitës para se të dështonte seanca e sotme. Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, mori fjalën kur kryesuesi Avni Dehari ftoi partinë më të madhe opozitare ta propozojë një deputet për komision. Por në fjalim Behrami bëri thirrje të respektohet aktgjykimi i Kushtetueses dhe të kthehet në votim të hapur. Fjala e tij u ndërpre menjëherë.
Edhe deputeti i LDK-së, Paris Guri, u përpoq të fliste, por pati ndërhyrje nga deputetët e VV-së. Ai vazhdimisht i kërkonte Fitore Pacollit “t’i kthejë 200 mijë euro që i ka vjedhur”.
E deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, u shpreh se Albin Kurti duhet ta zhbllokoj situatë.