Detaje nga aksioni i Antidrogës në Prishtinë: I dyshuari goditi me veturë dy zyrtarë policorë

Prishtinë | 13 Qer 2024 | 10:58 | Nga Ekonomia Online

Një person është arrestuar në aksionin e Antidrogës të koduar “Përfundimi” që u zhvillua në Prishtinë, konkretisht në rrugën “Kongresi i Drejtshkrimit”.

L.Sh, u prangos nën dyshimin për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Sulmi ndaj personit zyrtar”.

“I dyshuari me qëllim të shmangies nga arrestimi dhe ndalimi, me veturën e tij e ka goditur veturën zyrtare të policisë duke shkaktuar dëme materiale, si dhe dy zyrtarëve policor iu ka shkaktuar lëndime trupore, për çka edhe kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor”, thuhet në njoftimin e përbashkët të Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe policisë.

Gjatë kontrollit në trupin dhe veturën e të dyshuarit janë gjetur një sasi e dyshuar narkotike e mbeshtjellur në qese. Ndërsa, pas zbatimit të urdhëresës për bastisje, e cila është bërë në dy lokacione, Prishtinë dhe Fushë Kosovë, si dhe kontrollit në veturën e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar: 6 qese me narkotik të llojit marihuanë në peshë 5.4 gram, marihuanë në peshë 102.5 gram, 3.9 gram kokainë, një sasi e qeseve të zbrazëta, një peshore digjitale për matje, një telefon celular dhe 282 euro.

I dyshuari ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh, derisa ndaj të njëjtit prokuroria do t’i ndërmerre veprimet e mëtejme ligjore.

Ju njoftojmë se ky operacion është realizuar me sukses në saje të bashkëpunimit të ngushtë të Prokurorit të Shtetit me Policinë e Kosovës.

Të ngjashme