Detaje nga vrasja në Ferizaj, policia zbulon çka gjeti në vendin e ngjarjes dhe në shtëpinë e të dyshuarit

Prishtinë | 16 Sht 2025 | 09:34 | Nga Ekonomia Online

Një mosmarrëveshje u bë shkak i një vrasjeje që ndodhi mbrëmjen e së hënë në fshatin Balaj të Ferizajt. Policia ka njoftuar se në vendin e ngjarjes kanë gjetur pistoletën dhe 4 gëzhoja dhe se i dyshuari tashmë është në duart e policisë, raporton Ekonomia Online.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti pas një mosmarrëveshje që kishte me viktimën mashkull kosovar, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tij  dhe për pasojë, viktima ka mbetur pa shenja jete. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar pistoletën dhe 4-gëzhoja që dyshohet se janë shkrepur nga i dyshuari”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

E në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur edhe një pushkë gjuetie.

“Po ashtu gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur edhe një pushkë gjuetie, me 72 fishekë cal-12 mm, dhe një pushkë ajrore. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet më tej në raportin policor duke shtuar se hetimet po vazhdojnë.

Të ngjashme