Vrasja që ndodhi pasditen e së shtunës në Bokshiq të Klinës, ku dyshohet se vëllau vrau vëllanë, Faruk Isufin, ka tronditur vendin.
Ekonomia Online mëson se mosmarrëveshja mes vëllezërve dyshohet se kulmoi për një linjë autobusësh nga fshatrat përreth. Sipas burimeve, që të dy vëllezërit kishin autobusët e tyre dhe ishin zënë se cili të mbante këtë linjë.
Vëllezërit nuk kanë qenë duke folur me njëri-tjetrin tash e tre vjet dhe, sipas burimeve, kanë pasur edhe më herët mosmarrëveshje ndërmjet vete rreth disa pronave.
Sipas të Prokurorisë Themelore në Pejë, i dyshuari për vrasje është ndaluar për 48 orë për vrasje të rëndë. Para komunikatës, në Policinë e Kosovës thanë se i dyshuari është vëllai i viktimës.
“Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, njoftojnë opinionin publik se sot, rreth orës 15:08 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në fshatin Bokshiq të komunës së Klinës. Policia e Kosovës me të pranuar informatën menjëherë ka dal në vend të ngjarjes dhe ka kuptuar se një person ishte i plagosur me armë zjarri. Viktima është dërguar për në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim mjekësor, mirëpo si pasoje e plagëve të rënda viktima ka humbur jetën. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar nga Spitali Rajonal i Pejës”, thuhet në njoftimin për rastin.
Komunikata theksoi se është sekuestruar edhe arma që dyshohet se është përdorur në rast dhe prova të tjera relevante.