Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë detaje tronditëse lidhur me rastin e vrasjes së një gruaje, për të cilin dyshohet bashkëshorti i saj 81-vjeçar, Bardhi Dushi.
Sipas raportimit të Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 00:05, në shtëpinë e çiftit në Prizren.
Në kërkesën për caktimin e paraburgimit thuhet se i dyshuari, pas një fjalosjeje me bashkëshorten e tij, dyshohet se e ka sulmuar fizikisht dhe ia ka goditur e përplasur disa herë kokën në tokë.
Siç raporton Prokuroria, gruaja ka pësuar lëndime të shumta në kokë dhe pjesë të tjera të trupit dhe, si pasojë e tyre, ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, pas ngjarjes i dyshuari dyshohet se ka tentuar të fshijë gjurmët, ndërsa më pas ka njoftuar familjarët për rastin.
Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata caktimin e 30 ditëve paraburgim ndaj të dyshuarit, i cili ndodhet në ndalim prej 48 orësh.